Sytë kah Prizreni!

Sport May 16, 2018 - 11:32
Detajet

Prizreni do të jetë vendtakimi i radhës i dy skuadrave finaliste të “Play-Off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll, Bashkimit dhe Prishtinës. Këto dy ekipe do të ballafaqohen sonte prej orës 20:30 në palestrën “Sezai Surroi”, në ndeshjen e dytë finale për titull të kampionit të Kosovës, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Kjo palestër me shumë gjasë do të mbledhë numër të madh shikuesish pasi ekipi prizrenas tashmë është më afër titullit të kampionit, të cilin trofe nuk e ka fituar asnjëherë më parë. “Portokallinjtë” qe 17 vjet janë në pritje të një trofeu. Të parin dhe të fundin që e kanë fituar është Kupa e Kosovës në vitin e largët, 2001.

Nga atëherë Bashkimi vlerësohet si njëri prej ekipeve më të forta në vend, por pa ndonjë sukses kulminant. Vetëm në këtë edicion prizrenasit kanë luajtur në dy finale. Fillimisht janë mposhtur në finale të Kupës së Kosovës nga Sigal Prishtina, ndërsa para pak javësh e arriti suksesin më të madh në histori, duke u kualifikuar në finale të Ligës Ballkanike, por edhe atë finale e humbi nga Levski i Bullgarisë.

Pjesëmarrja në finale për titull të kampionit të Kosovës është e treta për Bashkimin. Për ta arritur këtë trofe ky ekip duhet t’i shënojë tri fitore. Një e arriti të dielën pasi në kryeqytet e mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 84:81 në ndeshjen e parë.

Kurse ekipi i “Arpaxhikëve” është mobilizuar për ta bërë hapin e dytë drejt titullit të kampionit sonte me një fitore tjetër ndaj ekipit më të trofeshëm në vend. “Në ndeshjen e parë kemi avancuar deri me 20 pikë epërsi ndaj Prishtinës, por në fund fituam me vetëm tri pikë. Prishtina sivjet nuk është sikurse viteve të kaluara, por gjithnjë mbetet rivale e fortë. Ne luajmë në shtëpi dhe duam ta shfrytëzojmë rastin që ta shënojmë fitoren e dytë për t’iu afruar pranë titullit”, ka thënë basketbollisti në formë i Bashkimit, Mikaile Tmushiq.

Bashkimi garën e rregullt kampionale e ka mbyllur në vendin e dytë, kurse Prishtina në pozitën e parë. Pavarësisht humbjes nga ndeshja e parë bardhekaltrit nuk janë dorëzuar në luftën për titull të kampionit, shkruan "Zëri".

Ata thonë se e kanë humbur vetëm një betejë, por jo një luftë të tërë. Kështu që sonte do ta japin maksimumin për të fituar në Prizren dhe për t’u barazuar me Bashkimin, të cilin pastaj synon ta përmbysë në ndeshjen kthyese në fundjavë në kryeqytet, ku në ndeshjen e parë të pranishëm ishin vetëm rreth 200 shikues. Kjo tregon se kampionati i sivjetmë ishte më i zbehti në Kosovën e pasluftën.

Basketbolli është përballur me një krizë të madhe financiare e organizative duke rënë shumë për kah niveli. Por, seria e ndeshjeve finale shpresohet ta mbyllë në një mënyrë më të hijshme këtë edicion./Zëri