Lihen jashtë edhe në ditën më të vështirë!

Sport May 16, 2018 - 10:00
Detajet

Ministria e Sportit të martën përfundimisht i mbylli dyert e stadiumit të Prishtinës në prag të ndeshjes vendimtare për titull të kampionit ndërmjet FC Prishtinës dhe Dritës. Ky vendim i këtij dikasteri qeveritar erdhi pas një takimi pesëpalësh, në të cilin ballafaqimi i drejtuesve të FC Prishtinës me ata të FFK-së prodhoi tensione. Bardhekaltrit ndihen të tradhtuar e të mashtruar nga Fadil Vokrri, të cilin e etiketuan si kundërshtarin më të madh të Prishtinës. Ndërsa “Plisat” nuk u përmbajtën duke i dërguar “selame” Fadil Vokrrit dhe zëvendëssekretarit të FFK-së Arianit Ahmetit. Kështu, edhe në ditën më të vështirë bardhekaltrit do të luajnë larg kryeqytetit, në Pejë, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Ndeshja e fundit kampionale dhe përcaktuese për titull të kampionit, e cila po konsiderohet si më e madhja në Kosovën e pasluftës, ajo ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, nuk do të zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit. Kështu ka vendosur përfundimisht të martën Ministria e Sportit, e cila e ka në dorë stadiumin e kryeqytetit deri në përfundimin e punimeve për rinovimin e tij.

“MKRS-ja ka vepruar sipas rekomandimeve të UEFA-s, ku ka proceduar me njoftimin e kontratës së negociuar me qëllim të realizimit të projektit që do të përfundojë më 30 qershor 2018, kontratë e cila edhe ka përcaktuar planin dinamik me punëkryesin. Para kësaj date, lejimi i zhvillimit të çfarëdo ndeshjeje shkel kushtet e kontratës dhe përbën shkelje edhe ligjore dhe dëmton procesin në përgjithësi. Prandaj, si MKRS nuk jemi të interesuar as të dëmtojmë investimin që kemi bërë në stadiumin e Prishtinës dhe as nuk duam të marrim ndonjë dënim eventual edhe nga UEFA”, thuhet pos tjerash në një komunikatë të këtij dikasteri qeveritar.

Në fakt, vendimin për moslejim të zhvillimit të ndeshjes kampionale ndërmjet Prishtinës dhe Dritës kjo Ministri e ka marrë pas një takimi paraprak që zyrtarët e saj e kanë zhvilluar brenda stadiumit me përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, të FC Prishtinës dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Ky takim është zhvilluar nën atmosferën e tensioneve në mes drejtuesve të FC Prishtinës dhe të zyrtarëve të FFK-së.

Madje, presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, pas takimit tha se është pikërisht Federata ajo e cila ka ndikuar që ndeshja të mos zhvillohet në kryeqytet sepse zyrtarët e Ministrisë, të Komunës e madje edhe ata të kompanisë punëkryese nuk ishin kundër, shkruan "Zëri".

Bardhekaltrit ndihen të tradhtuar dhe të mashtruar nga kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, për të cilin thonë se vetëm një ditë më herët në një takim me Ejupin kishte qëndrim pozitiv që ndeshja të zhvillohet në këtë stadium. “Mua më ka befasuar dhe më ka habitur FFK-ja, sepse një ditë më herët e takova kryetarin e Federatës dhe ishte dakord që ndeshja të luhet në Prishtinë, kurse brenda natës e ka ndryshuar qëndrimin. Presioni ka ardhur nga Federata që të mos luhet ndeshja në stadiumin e qytetit dhe të luhet diku tjetër, kudo tjetër vetëm këtu jo”, ka deklaruar Ejupi.

“Për të luajtur në stadiumin e Prishtinës ishin deklaruar pro Komuna, Ministra edhe punëkryesi dhe janë pajtuar se një pjesë e madhe e punimeve janë kryer, kurse përfaqësuesi i Federatës vazhdimisht ishte kundër duke e potencuar vazhdimit se kush e merr përgjegjësinë, se stadiumi nuk është i licencuar e se nuk i plotëson kushtet pa e marrë licencën nga FFK-ja. Kurse ne e dimë sa shumë stadiume janë të licencuara me kushte minimale ose s’kanë fare kushte edhe ky del të jetë që është problemi”, ka theksuar numri 1 i FC Prishtinës. Në emër të klubit bardhekaltër, Ejupi insiston se stadiumi i Prishtinës i plotëson të gjitha kushtet për ta pritur ndeshjen e madhe Prishtina – Drita. Ndërkohë, në FFK kanë mohuar të kenë punuar dhe të kenë ndikuar në dëm të FC Prishtinës, shkruan "Zëri".

“Plisat” thumbojnë dhe kërcënojnë Fadil Vokrrin e Arianit Ahmetin

Duke e parë kundërshtimin e FFK-së për zhvillimin e ndeshjes Prishtina – Drita në stadiumin e kryeqytetit, “Plisat” i kanë thumbuar keq kryetarin e FFK-së Fadil Vokrrin dhe zëvendëssekretarin Arianit Ahmetin. “Fadil Vokrri, ty që ai Flamur Bunjaku, nënkryetari i Dritës të shëtitë nëpër Meksika, e ti Arianit Ahmeti që Astrit Haraqia ta ka shpik atë post, dijeni që: ose do të luajmë në stadiumin tonë, ose ju do të shpërnguleni nga Prishtina, ku nuk kanë me u ekzistua më as zyrat!”, thuhet në reagimin e “Plisave”.

Ndërkohë, edhe vet FC Prishtina e ka lëshuar një reagim përmes së cilit e ka thumbuar keq Fadil Vokrrin./Zëri