Rita Ora në kampanjën e UEFA-s

Sport May 15, 2018 - 10:22
Rita Ora i është bashkuar UEFA-s në kampanjën e saj për t’i inkurajuar më shumë femrat që të luajnë futboll

Këngëtarja e njohur kosovare Rita Ora i është bashkuar UEFA-s në kampanjën e tyre për t’i inkurajuar më shumë femrat që të luajnë futboll, apo siç njihet edhe me emrin e saj “Together We play strong”. Këngëtarja me famë botërore është bërë partnere e shtëpisë evropiane të futbollit për ta shtuar më shumë interesimin e grave në sportin më të popullarizuar në botë, shkruan "Zëri".

Rita Ora është bashkuar me UEFA-n, e cila është duke sponsorizuar “The Girls Tour” (Udhëtimi i vajzave) në kampanjën e tyre “Together We play strong” në mënyrë që ta përmirësojnë imazhin e femrave në futboll. Kosovarja thotë se është një privilegj për të që të marrë pjesë në këtë kampanjë.

“Vlerat e kampanjës “Together We play strong” nuk e kanë për qëllim vetëm futbollin, por edhe fuqizimin e femrave dhe barazinë gjithashtu, kështu që unë jam 100% pas kësaj kampanje kur ata më ftuan që të jem partnere e UEFA-s”, thotë Rita Ora.

LEXO EDHE: ‘Ylli’ i Real Madridit, Marcelo shpërndan fotografinë e kosovares

“Është një privilegj të jem pjesë në fushatë inspiruese, që përçon mesazhe të pranimit, individualizmit dhe vendit të merituar në shoqëri. Mesazhi im për çdo vajzë që mendon të luajë me top është thjesht vazhdo”, shprehet këngëtarja e lindur në Prishtinë.

“Të qenit pjesë e një ekipi e shton vetëbesimin, e ndërton shoqërinë dhe gjithashtu mund të jetë çliruese”, thotë ajo.

Kampanjë e Ritës dhe UEFA ka synim që ta bëjë futbollin sportin numër një për vajzat dhe gratë përreth Evropës në pesë vjetët e ardhshme. Kryesuesi i marketingut dhe aktiviteteve sponzorizuese në UEFA, Peter Willems, thotë se është i gëzuar që Rita Ora tashmë është pjesë e tyre.

“Ne jemi të kënaqur që Rita Ora është bashkuar me ne në kampanjën ‘Together We play strong’. Ne besojmë që e kemi krijuar partneritetin ideal që do ta ndihmojë zhvillimin e lojës për vajzat e reja përreth Evropës. Partneriteti ynë do të vazhdojë të evoluojë me një dinamikë befasuese, që do ta ndihmojë lidhjen e UEFA-s me botën e vajzave të reja përmes muzikës, argëtimit, modës dhe sportit”, është shprehur Willems. /ZËRI/