Shpend Ahmeti insiston: ‘Prishtina – Drita të luhet në stadiumin tonë’

Sport May 14, 2018 - 10:32

Shpend Ahmeti vazhdon të insistojë. Edhe pse nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka thënë se stadiumi i Prishtinës nuk është i gatshëm për ta pritur ndeshjen vendimtare për titull të kampionit, Prishtina – Drita, kryetari i Komunës së Prishtinës sot ka bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Sportit dhe në FFK që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin, pronare e së cilit është pikërisht komuna.

“Edhe zyrtarisht e dërguam kërkesen në Ministri e Federatë që loja e fundit Prishtina Drita të luhet në Stadiumin tonë të qytetit në Prishtinë”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”. Kërkesë të ngjashme kanë bërë edhe FC Prishtina dhe tifozët prishtinas, 'Plisat'. Këta të fundit kanë thënë se nëse ekipi i tyre e humb titullin fajtorë do të jenë Ministria dhe FFK-ja.