Crvena Zvezda, përsëri vjen në Kosovë!

Sport May 03, 2018 - 12:35

Crvena Zvezda do të zbarkojë përsëri në Kosovë, shkruan sot gazeta Zëri.

Mediet serbe shkruajnë se klubi më i madh serb do ta zhvillojë një ndeshje miqësore në Graçanicë me skuadrën lokale.

Sipas “mozzartsport.com”, kjo ndeshje do të zhvillohet më 9 maj në qendrën sportive “Dragan Dzajic”.

“Zvezda do ta përdorë këtë ndeshje në provincën serbe për t’i filluar festimet për titullin e kampionit të fituar së fundmi”, shkruan mediumi serb.

Biletat për këtë ndeshje tashmë kanë dalë në shitje, kurse loja do të ketë karakter humanitar pasi të hyrat nga shitja e tyre do t’i dorëzohen spitalit të pediatrisë dhe maternitetit në Graçanicë, i cili ndihmon për të ardhur në jetë një numër fëmijësh dhe që, sipas këtij mediumi, kushtet janë mjaft të këqija.

Festimet e Zvezdës do të nisin pikërisht në Graçanicë, ndërsa më pas do të vazhdojnë në Novi Sad, ku do të zhvillohet një tjetër ndeshje.

Si çdo pranverë, që nga viti 2015, Zvezda i viziton tifozët e saj serbë në Kosovë dhe tifozët kanë premtuar atmosferë të zjarrtë.

Sigurisht as provokimet ndaj shqiptarëve nuk do të mungojnë, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, pasi tifozët kanë bërë thirrje antishqiptare dhe kanë kënduar këngë kundër popullit tonë.

FFK: Zvezda mori leje

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) megjithatë është njoftuar nga klubi serb për vizitën që do t’ia bëjë vendit tonë.

Sidoqoftë, shtëpia e futbollit kosovar do ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe më pas do t’i japë përgjigje klubit serb.

“Kërkesa është tek ne, do ta shqyrtojmë me kujdes. Deri tash janë sjellë mirë, nuk ka pasur incidente, edhe pse tash është një situatë paksa më ndryshe”, thonë në FFK për “Zërin”.

“Gjithsesi, provokimet, sjelljet jokorrekte dhe fyerjet ndaj nesh apo dikujt tjetër nuk lejohen”, shton institucioni më i lartë i futbollit kosovar.

Klubet serbe kanë zbarkuar kohë pas kohe në Kosovë, herë me leje e herë pa të. Ka pasur raste kur tifozët kanë provokuar me pankarta, thirrje ose këngë antishqiptare.

Ndërkohë, klubet serbe në sporte të ndryshme vazhdojnë të garojnë në Kosovë, por nën ombrellën e federatave sportive serbe. /Zëri/