Vëllaznimi bën ndryshime për të shpëtuar

Sport May 02, 2018 - 13:37

Vëllaznimi ka bërë ndryshime të befasishme në fund të kampionatit, shkruan sot gazeta Zëri.

Pas barazimit pa gola ndaj Besës e mbi të gjitha pas rezultateve jo të kënaqshme në xhirot e fundit, Kuqezinjtë e kanë ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin e deritashëm Arsim Gojani.

Në fakt, pas ndeshjes së zhvilluar fundjavën që shkoi Kryesia e klubit e ka mbajtur një mbledhje dhe në marrëveshje me Gojanin vendosën që ta shkëpusin kontratën.

Lajmin e ka bërë të ditur uebfaqja zyrtare e klubit gjakovar, sipas të cilës nuk bëhet fjalë për ndonjë shkarkim apo dorëheqje, por ndarje me pajtim të dyanshëm.

Ndërkohë, Vëllaznimi nuk ka pritur gjatë dhe menjëherë e ka gjetur pasardhësin e Gojanit.

Në krye të ekipit gjakovar të martën është emëruar trajneri i njohur kosovar Gani Sejdiu.

Mitrovicasi e ka nisur aventurën gjakovare qysh dje me stërvitjen e parë që e ka mbajtur me skuadrën, të cilën do të mundohet ta përgatisë për ndeshjen e së enjtes ndaj Vllaznisë së Pozheranit në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës, q[ do të zhvillohet në Gjilan.

“Kryetari Agim Cana menjëherë është interesuar që ekipin të mos e lërë në këtë gjendje dhe në orët e vona të ditës së hënë, edhe pse nuk ishte aq e lehtë që ta bindë një trajner të kalibrit të lartë siç është Gani Sejdiu, por falë respektit që ka ndaj kryetarit Agim Cana dhe klubit trajneri mitrovicas është i gatshëm ta udhëheqë ekipin dhe ta bëjë maksimumin dhe ta pamundurën që Vëllaznimi të mbetet në Superligë, sepse Superliga nuk e ka hijeshinë e duhur pa Vëllaznimin”, njofton klubi gjakovar.

Sejdiu, për shpëtimin e Vëllaznimit

Gani Sejdiu e kishte marrë në dorë edhe Trepçën ’89 vitin e kaluar për ta ndihmuar në fund të pjesës së parë të sezonit, por ishte ndarë nga mitrovicasit, të cilët më pas po e kërkonin një trajner të huaj.

Tash trajneri mitrovicas ka zbuluar se kohëve të fundit i kishte refuzuar dy oferta dhe e kishte ndërmend të pushonte deri në fillim të sezonit të ri, por që e pranoi ofertën e Vëllaznimit pasi konsideron se klubi gjakovar ka një projekt serioz dhe se respekti që ka për kryetarin Agim Cana, për qytetin, traditën e klubit dhe për tifozët e kanë shtyrë që ta pranojë ofertën me qëllim që ta ndihmojë Vëllaznimin të mbetet në Superligë. Nëse arrin ta shpëtojë klubin pa rënë nga liga, ai ka treguar se do të ulet dhe të bisedojë me drejtuesit e klubit për vazhdimin eventual të bashkëpunimit.

Gjakovarët pritet të luajnë në barazh pasi kanë ngelur prapa ekipeve të tjera.

Gashi akuzon Canën

Kryetari i deridjeshëm i Vëllaznimit Shkëlzen Gashi e ka akuzuar kryetarin aktual Agim Cana pasi ky i fundit vendosi për ndarjen me trajnerin Arsim Gojani.

Gashi ka thënë se është ende kryetar dhe se dikush nga Kryesia duhet të japë përgjegjësi për marrjen e 55 mijë eurove nga Komuna, 10 mijë eurove nga familja Xhaka, 10 mijë eurove nga të drejtat televizive dhe 20 mijë të tjera nga biletat e shitura.

Ai ka kërkuar nga kryetari i Komunës Ardian Gjini të reagojë sa më shpejt për deklarimin e mjeteve, sepse shton se Vëllaznimi është shkatërruar pas largimit të Gojanit. /Zëri/