Chelsea na bëri të vuajmë

Sport March 15, 2018 - 10:53

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde thotë se rezultati 3:0 kundër Chelseat të mërkurën në Ligën e Kampionëve nuk e pasqyron lojën në fushë, transmeton zeri.info

“Ne vuajtëm shumë në këtë lojë sepse ata bënin presion të madh dhe krijonin shumë rrezik”, deklaroi Valverde.

“Ata treguan se janë një skuadër e madhe me lojtarë të mëdhenj dhe ne ishim me fat që i eliminuam ata. Duhet ta pranoj që ata ishin rivalë të mëdhenj, një ekip i mirë. Ka qenë e vështirë, në të dyja ndeshjet. Mendoj se shënuam në rastin e parë që patëm”, shtoi strategu spanjoll.

Valverde gjithashtu lavdëroi Lionel Messin për paraqitjen e tij dhe dy golat e shënuar.

“Ai e di se në cilin moment duhet të shpërthejnë yjet. Ai e detyron veten që ta bëjë këtë. Nuk ka garantime që ai do të shënojë, por ai është një lojtar fantastik. Ne e shijojmë lojën e tij. Ne jemi shumë me fat që shohim diçka që do të mbetet në histori”, u shpreh Valverde, i cili është në krye të Barcelonës që prej qershorit të vitit të kaluar./Zëri