Andin Rashica, trajneri historik i basketbollit

Sport March 06, 2018 - 13:39

Arben Krasniqi konsiderohet si trajneri më i suksesshëm vendor pasi për disa vite me Prishtinën e dominoi basketbollin kosovar, duke i mposhtur trajnerët e njohur që vinin nga vendet e ndryshme të botës.

Tash rrugën e tij po e ndjek Andin Rashica, i cili së fundmi e fitoi trofeun e parë si kryetrajner i prishtinasve, shkruan sot gazeta Zëri.

Ai u bë trajneri më i ri në histori të basketbollit kosovar, duke e fituar Kupën e Kosovës vetëm në moshën 27-vjeçare.

Pa dyshim ai ndihet mirë për këtë fakt, ndërkohë që i ka falënderuar lojtarët e tij për atë që po e japin në parket dhe kryesinë për besimin e dhënë.

“Nuk ka qenë e lehtë aspak për arsye se kur janë krejt lojtarët vendorë normalisht se ke panik pak në atë kuptimin që çdoherë ekipet janë përforcuar dhe na kanë nënçmuar paksa. Duke iu falënderuar lojtarëve e kryesisë për besimin jemi munduar të qëndrojmë unikë, pavarësisht problemeve të cilat i kemi mënjanuar. Kemi pasur durim, kemi besuar te njëri-tjetri, çka ka ndodhur në stërvitje e kemi harruar dhe angazhimi nuk ka munguar asnjëherë. Është një sukses i madh për klubin dhe për basketbollin e Kosovës, me këta lojtarë kemi arritur të bëjmë diçka”, theksoi fillimisht Rashica për “Zërin”.

Image

Ai ishte pjesë e Prishtinës nga viti 2000 deri në 2013-ën fillimisht si lojtar i gjeneratave të reja e më pas si ndihmëstrajner. Dy vjet ka luajtur në klubin Dardania te trajneri Blerim Krasniqi në ekipin senior, por më pas i është kthyer zejes së trajnellëkut.

Ka punuar si ndihmëstrajner edhe në klubin e basketbollit 21, ndërsa si 23-vjeçar disa muaj ishte emëruar trajneri i parë i këtij ekipit kryeqytetas.

Një kohë ka punuar edhe si gazetar në RTV21, ndërsa më pas u rikthye tek Prishtina si asistenttrajner.

Rashica i falënderon të gjithë trajnerët me të cilët ka punuar e prej të cilëve thotë se ka mësuar shumë pa dashur ta veçojë ndonjërin prej tyre.

Madje edhe ditëve të fundit është konsultuar me trajnerët e huaj, nga të cilët ka marrë instruksione për duelet e prishtinasve në Kupën e Kosovës.

Ai nuk e ka problem edhe në të ardhmen të punojë si ndihmëstrajner, pasi thotë se në të dyja pozitat mundohet ta japë maksimumin e tij dhe t’i kryejë me përpikëri përgjegjësitë që i merr. /Zëri/

Image