Peja, arenë e derbit

Sport March 03, 2018 - 10:20

E shtuna do ta sjellë derbin e madh të futbollit kosovar ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës ’89. Bardhekaltrit kërkojnë fitore në Pejë për ta mbajtur hapin për titull. Prishtinasit e kanë nisur pozitivisht sezonin pranveror me një fitore të madhe ndaj Llapit, kurse së fundmi barazuan si mysafirë të Vëllaznimit. Mirëpo, ’89-shi e ka nisur akoma më mirë.

Mitrovicasit tashmë i kanë regjistruar dy fitore pranverore, fillimisht ndaj Vëllaznimit e së fundmi kundër Besës. Kështu, ekipi mitrovicas duket se tani po i shmanget pasigurisë që e ka përcjellë në sezonin vjeshtor, pasi që është ngjitur në vendin e katërt të renditjes tabelore me 33 pikë. Pra i ka vetëm dy pikë më pak sesa Prishtina, e cila e ndan pozitën e parë me Dritën me pikë të barabarta.

’89-shi është eliminuar nga gara e Kupës së Kosovës dhe është fokusuar maksimalisht në titullin e kampionit për të dalë në gara evropiane. Kurse Prishtina mbetet në garë për të dy trofetë. Ishin pikërisht këto dy ekipe që e thyen akullin vitin e kaluar, duke luajtur në Champions dhe në Europa League. Ndeshja në mes tyre i takon xhiros së 21-të të Superligës, e cila do ta sjellë të shtunën edhe një tjetër përballje shumë interesante në kryeqytet, ku Flamurtari do të takohet me Llapin. Ky i fundit konsiderohet kandidat i madh për titull, por këtë nuk e ka dëshmuar në dy xhirot e para të pjesës së dytë të kampionatit. Kjo pasi ekipi i Tahir Batatinës është mposhtur nga dy rivalët e drejtpërdrejtë, fillimisht nga Prishtina e pastaj edhe nga Drita, duke i humbur shpejt dy pozitat e para. Sot i ka 34 pikë, dy më pak sesa Prishtina e Drita. Mirëpo, llapjanët do ta kërkojnë këndelljen si mysafirë të Flamurtarit. Por, ky i fundit mund ta thellojë krizën e Llapit pasi do të mundohet ta shfrytëzojë “panikun” e kundërshtarit dhe përparësinë e të qenit vendas për t’i fituar tri pikë, të cilat i nevojiten si uji ekipit kuqezi për t’i mbajtur gjallë shpresat në mbijetesë. Flamurtari është i parafundit në Superligë me vetëm 11 pikë dhe po bën përpjekje ta kalojë Besën në mënyrë që t’i shmanget rënies nga Superliga dhe ta fitojë një shans për ta kërkuar mbijetesën përmes barazhit.

Ndërkohë, kandidatin tjetër për titull të kampionit Gjilanin të dielën e pret një sfidë mjaft e vështirë. Ekipi i Arbnor Morinës do të udhëtojë në Skenderaj, ku e pret Drenica e papërshtatshme. Gjilanasit i kanë vetëm dy pikë më shumë sesa drenicasit, të cilët synim kryesor e kanë shmangien e barazhit pasi i kanë vetëm katër pikë më shumë sesa Vëllaznimi, që gjendet në atë zonë të rrezikshme. Ndërsa Besa të hënën do të mundohet ta shfrytëzojë shansin për t’i fituar tri pikë tepër të rëndësishme dhe shpresëdhënëse si mysafire e Vllaznisë, e cila vështirë se do ta bëjë mrekullinë për të mbijetuar në Superligë.

Sot në Pejë takohen Prishtina dhe Trepça ’89, dy ekipet që e thyen akullin vitin e kaluar duke luajtur në Evropë.

Superliga – Java e 21-të

E shtunë

Flamurtari – Llapi

Prishtina – Trepça ’89

E diel

Drenica – Gjilani

E hënë

Vllaznia – Besa

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00