Kosova në dorë të Challandesit

Sport March 03, 2018 - 08:22

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të premten e prezantoi përzgjedhësin e ri të Kosovës, Bernard Challandes. Kryetari Fadil Vokrri e lavdëroi trajnerin zviceran, me të cilin tha se Kosova do të provojë të shkojë në “Euro 2020”. Por, 66-vjeçari nuk garantoi asgjë. Ishte i matur teksa po fliste para medieve në Prishtinë. Tha se kualifikimi eventual i Kosovës në “Euro 2020” do të ishte një mrekulli. Ai pohoi se ka ardhur për ta rritur përfaqësuesen kosovare. Garantoi se edhe do të “luftojë” kundër vendlindjes vetëm e vetëm që “Shaqirat, Xhakat, Behramat” e rinj ta zgjedhin Kosovën e jo Zvicrën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në dy vjetët e ardhshëm do të jetë në duart e trajnerit zviceran Bernard Challandes. Është presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ai i cili të premten e nënshkroi kontratën dyvjeçare me ish-përzgjedhësin e Armenisë, të cilit i shprehu mirëseardhje në Prishtinë dhe i uroi punë të mbarë në Kosovë. Vokrri tregoi se FFK-ja ishte në bisedime me dy-tre trajnerë, por në fund e zgjodhi Challandesin për ta zëvendësuar Albert Bunjakin, pasi zvicerani ishte më i përshtatshmi për FFK-në në aspekt financiar, por edhe në aspekte të tjera. Marrëveshja financiare në mes të FFK-së dhe zviceranit nuk u bë e ditur nga Vokrri, i cili tha se Challandes ishte më i përballueshmi për gjendjen ekonomike të FFK-së. E vetë zvicerani ishte i entuziazmuar që gjeti punë në Kosovë. “Faleminderit për besimin që ma keni dhënë. Për mua është kënaqësi e madhe të punoj për FFK-në. Për mua është nder i madh ta marr ekipin tuaj. Shteti i Kosovës është i ri, kurse ekipi edhe më i ri. I kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës, e cila ka bërë punë të madhe. Por, duhet të punojmë edhe më shumë që të shënojmë progres dhe të fitojmë eksperiencë”, deklaroi Challandes.

Image

“Skuadra është e komponuar, por dua edhe më shumë që ta krijojmë një familje. Kjo nuk mund të bëhet me futbollistë individualë, por në mënyrë ekipore. Nuk po them se do të kualifikohemi në ‘Euro 2020’, por po them se nëse jemi të bashkuar ne mund të bëhemi të fortë dhe kur bëhemi të fortë natyrisht se mund edhe të kualifikohemi”, tha Challandes, i cili potencoi se Përfaqësuesja A do të jetë fokusi i tij, por që do të krijojë koordinim dhe do të kontribuojë edhe në përfaqësueset e reja. Ai tha se njeh shumë futbollistë kosovarë dhe kjo ia ka mundësuar ta njohë edhe mentalitetin e tyre, andaj beson se nuk do ta ketë problem këtë aspekt. “Unë nuk jam as Jose Mourinho e as Pep Guardiola. Por unë do të punoj shumë të bëjë diçka të madhe. Dua të punoj shumë që ta çoj Kosovën përpara”, u shpreh Challandes.

Edhe pse Challandes thotë se do të ishte mrekulli sikur Kosova të shkonte në “Euro 2020” me një përvojë të vogël nga pjesëmarrja në vetëm dy palë kualifikime, për kryetarin e FFK-së Fadil Vokrrin kualifikimi në Evropianin e ardhshëm duhet të tentohet. Vokrri theksoi në sy të Challandes se janë rezultatet ato që e mbajnë trajnerin në punë, por njëkohësisht potencoi se FFK-ja i ka parasysh të gjitha rrethanat dhe se e di se nuk është e lehtë të arrihet kualifikimi, por me qetësi dhe me kujdes do ta tentojë “Euro 2020”.

Zvicerani kundër Zvicrës shkaku i Kosovës

Zvicra kaherë i ka mbledhur futbollistët më të mëdhenj që kishin prejardhje nga Kosova. “Helvetikët” e ndjekin të njëjtën politikë edhe pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e në FIFA. Atje edhe tani ka shumë lojtarë të rinj kosovarë te të cilët shpreson si Zvicra, ashtu edhe Kosova. Shumë nga ta i njeh mirë Bernard Challandes, përzgjedhësi i ri i Kosovës. Atij tashmë nuk i intereson vendi i tij, Zvicra. Zotohet se do të punojë në interes të Kosovës, e cila ia besoi postin e përzgjedhësit. Andaj thotë se lojtarët e rinj që bëjnë karrierë në Zvicër do të bëjë çmos t’i sjellë në skuadrën e tij verdhekaltër. Pra, do t’u thotë mos luani për Zvicrën, por për Kosovën. “Jo, jo. Ata duhet të luajnë për Kosovën. Ata do t’i thërras këtu. Do të bëj edhe ‘luftë’ që ata të vijnë këtu tek ne dhe të luajnë për Kosovën. Ata na duhen këtu në Kosovë”, tha ai.