Çelni sytë!
Foto: Driton Bublaku

Çelni sytë!

Sport shkurt 21, 2018 - 12:16
“Lufta” ndërmjet FFK-së dhe FSHF-së për Edon Zhegrovën ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e raporteve në mes tyre, prijësit e të cilave gjithnjë i artikulojnë si “vëllazërore”. Ofanziva e Shqipërisë në procesin e mbledhjes së talenteve nëpër Evropë po sfidohet vetëm nga vërejtjet me ton të lartë të Kosovës, e cila tash për tash nuk ka as zyra e as njerëz nëpër Evropë “për t’i kapur” me kohë talentet kosovarë, të cilët kryesisht po ia mësyjnë rrugës për në Tiranë. Derisa FFK-ja thotë se shumë shpejt do t’i vërë tri pika në tri qendra evropiane, trajneri i njohur Fahredin Duraku bën thirrje që në këtë proces të angazhohen njerëzit më autoritarë, si: Kujtim Shala, Besnik Hasi, Ardian Kozniku, Agim e Lorik Cana e shumë njerëz të tjerë të tillë

Derisa Kosova qe një kohë goxha të gjatë ka mbetur edhe pa trajner, Shqipëria në vazhdimësi po shënon progres në futboll, shkruan sot gazeta Zëri.

E kaluara e hidhur, e cila i ka humbur futbollistë shumë të mëdhenj që sot janë yje në Evropë, i ka dhënë mësim Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e cila kohëve të fundit po tregohet tejet aktive sidomos në procesin e afrimit të talenteve shqiptarë që lulëzojnë në Evropë.

Shtëpia e futbollit shqiptar qe një kohë ka zyra dhe njerëz të shumtë me autoritet që punojnë në këtë proces e që në fakt po kanë efekt pozitiv, pasi shumë futbollistë shqiptarë sot mezi e presin një ftesë nga Tirana zyrtare.

FSHF-ja kaherë ka angazhuar në ekipet kombëtare të saj futbollistë të shumtë me prejardhje nga Kosova, e cila nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe e FIFA-s.

Ndërsa, pas anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në këto dy organizata FSHF-ja ka theksuar se do të jetë më e kujdesshme në afrimin e talenteve për të mos e dëmtuar Kosovën.

Por e ka bërë të qartë disa herë se nuk do t’ua mbyllë dyert atyre lojtarëve që më shumë e preferojnë Kombëtaren Shqiptare, qofshin ata edhe nga Kosova.

Për FSHF-në mjafton që futbollisti të flasë shqip dhe të ketë kualitet për t’ia dhënë një fanellë.

Kjo ka bërë që shumë futbollistë të shkojnë në drejtim të Shqipërisë apo ta preferojnë më shumë atë sesa Kosovën edhe pas anëtarësimit të vendit tonë në UEFA dhe në FIFA.

Madje ky fenomen është aq i dukshëm, saqë shpeshherë po ngjall edhe shqetësim në FFK, e cila po shpërthen me deklarata.

Talenti i zbuluar nga FC Prishtina që po bën karrierë në Belgjikë, Edon Zhegrova, është rasti i fundit ndër të shumtit që sikur po shndërrohet në “mollë sherri” në mes dy federatave.

Edhe pse drejtuesit e FFK-së dhe të FSHF-së gjithnjë thirren në raporte vëllazërore, në fakt duket se jogjithçka është ashtu siç e thonë nga Prishtina apo nga Tirana.

FFK-ja ndihet “e vjedhur” nga Shqipëria. Madje, kryetari i saj Fadil Vokrri ka paralajmëruar se do të bisedojë me presidentin e FIFA-s Gianni Infantino dhe do të kërkojë prej tij mbrojtjen e Kosovës nga shtetet tjera që po ia grabitin talentet.

Ky paralajmërim i Vokrrit në mediet e Tiranës është konsideruar si pasqyrë e raporteve reale në mes dy federatave e që nuk flet për një raport aq “vëllazëror” siç e artikulojnë nga të dyja anët.

FSHF-ja e arsyeton lehtë këtë veprimtari të saj, shkruan Zëri.

Thotë se s’po bën asgjë tjetër përveçqë po punon në interes të Kombëtares së saj, për çka ka investuar shumë në një plan për t’i ofruar talentet shqiptarë në skuadrat kuqezi nga Evropa.

Kurse FFK-ja tash për tash nuk ka as zyra e as njerëz që merren me këso punësh.

Me këtë punë deri para disa muajsh është marrë Albert Bunjaki, i cili me vite të tëra i ka hulumtuar, i ka kontaktuar dhe i ka ofruar thuajse të gjithë ata futbollistë që edhe sot vishen verdhekaltër.

Dhe, shkëputja e kontratës në mes tij dhe FFK-së veç çka e ka lënë akoma më pasive Kosovën në këtë drejtim.

Në FFK e pranojnë ngecjen e dukshme në këtë drejtim. Por, njëkohësisht paralajmërojnë aktivizim të shpejtë.

“Ne tashmë jemi pranuar në UEFA dhe në FIFA dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së po e përpilon një strategji për monitorimin dhe afrimin e talenteve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Evropë”, ka deklaruar FFK-ja për “Zërin”.

“Ne shumë shpejt planifikojmë t’i krijojmë tri qendra tona në Evropë, tri zyra që do të merren me talentet tanë në Evropë. Gjermania, Zvicra dhe shtetet skandinave janë vendet ku ne mendojmë se ka më shumë talente nga Kosova dhe në këto tri pika do të përqendrohemi për t’i krijuar qendrat tona, të cilat tash për tash nuk i kemi”, thekson shtëpia e futbollit kosovar, e cila potencon se e ka për obligim t’i mbrojë interesat e Kosovës kur ato rrezikohet nga cilido shtet tjetër.

“Ne nuk kemi qenë anëtarë të UEFA-s e të FIFA-s dhe nuk kemi mundur e nuk kemi dashur t’ua mohojmë dëshirën futbollistëve për të luajtur në nivele të larta me shtete tjera alternative. Mirëpo, ne tani jemi shtet i barabartë me shtetet tjera në UEFA dhe në FIFA e natyrisht se e kemi për obligim të punojmë për t’i mbrojtur interesat tona nacionale”, thotë FFK-ja.

Duraku: Xhelozia po e viktimizon Kosovën

Fahredin Duraku është një trajner i kualifikuar dhe i njohur në vendin tonë. Gjithashtu i njeh të gjitha rrethanat e futbollit kosovar.

Ai thotë se një xhelozi ndërmjet njerëzve të futbollit po i shkakton dëme të pariparueshme të ardhmes së futbollit kosovar.

“Kosova ka shumë njerëz të mençur dhe të zotë që mund të japim kontribut shumë të madh. Pse nuk afrohet dhe nuk angazhohet Kujtim Shala.

Pastaj Ardian Kozniku, Besnik Hasi, Agim e Lorik Cana?!”, pyet Duraku, i cili kësaj pyetjeje vetë i jep përgjigje:

“Nuk ftohen, dikush u frikësohet. Te ne ka xhelozi. Nuk i shfrytëzojnë njerëzit e mençur, por i trembin si duket nga frika”, thekson ai.

Duraku tregon se si Kosova ka mundësi ideale për t’i shpëtuar humbjes së talenteve të mëdhenj.

“Njerëzit si Kujtim Shala, Besnik Hasi, Kozniku, Agim dhe Lorik Cana e shumë të tjerë janë emra të mëdhenj. Kanë qenë frymëzues për shumë gjenerata. Ata kanë autoritet. Pse për shembull nuk caktohet Kujtim Shala për t’i monitoruar dhe për t’i afruar talentet e Kosovës në Gjermani. Kozniku për ata në Kroaci apo në Gadishullin Ballkanik. Hasi për Belgjikë, Cana për Francë, e kështu me radhë”, vazhdoi ai.

Sipas Durakut, FFK-ja nuk ka pse të reagojë kur i humb talentet për fajin e vet që nuk i bën për vete me kohë.

“Shqipëria punon shumë. Pastaj kur e merr Edon Zhegrovën apo ndonjë futbollist tjetër ne reagojmë: Na e mori talentin! Natyrisht se e merr Shqipëria kur Kosova fle”, përfundoi ai. /Zëri/