Frika nga korrupsioni dhe nga kurdisjet

Sport February 16, 2018 - 08:28

Sezoni pranveror në Superligën e futbollit do të fillojë të dielën, ndërsa pritet një garë e jashtëzakonshme ndërmjet shtatë skuadrave për titullin e kampionit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Mirëpo, ende pa filluar gara është ngjallur frika e mundësisë së përsëritjes së dukurive negative të cilat kanë dalë në pah thuajse në çdo sezon pranveror të kampionateve të kaluara.

Kjo frikë u ngjall të mërkurën menjëherë pas ndeshjeve të Kupës, të cilat i paraprijnë fillimit të pjesës së dytë të kampionatit. Gjithçka nisi nga ndeshja Trepça ’89 – Llapi (0:2).

Kampionia aktuale e Kosovës për eliminim nga gara e Kupës fajësoi gjyqtarët e ndeshjes në krye me Genc Nuzën, për të cilët tha se e dëmtuan qëllimisht.

Mitrovicasit shprehën bindjen e tyre se Nuza me bashkëpunëtorë kanë qenë të korruptuar nga individë të caktuar për ta ndihmuar Llapin drejt çerekfinales së Kupës në dëm të Trepçës ’89.

Për më tepër, ’89-shi ka dhënë paralajmërim të frikshëm. “Trepça ’89 gjithmonë ka punuar për zhvillimin e  futbollit të Kosovës, por nga sot edhe ne do ta ndërrojmë fytyrën dhe do t’i ndjekim interesat tona”, ka deklaruar Trepça ’89. /Zëri/