Ankohet presidenti i PSG-së: UEFA të bëjë diçka, Real Madridi u ndihmua nga gjyqtari

Sport February 15, 2018 - 14:45

Presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, i ka bërë thirrje UEFA-së të veprojë, gjersa e ka akuzuar gjyqtarin kryesor të ndeshjes së parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve mes Real Madridit dhe PSG-së, Gianluca Rocchi, se e favorizoi gjigantin spanjoll.

PSG kaloi në epërsi në pjesën e parë përmes mesfushorit Rabiot, por krejt në fund të 45 minutave të parë, Cristiano Ronaldo barazoi shifrat nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar nga Toni Kroos, transmeton Express.

Reali u kthye në pjesën e dytë më i fuqishëm dhe shënoi edhe dy herë, përmes Ronaldos dhe Marcelos, për të përmbysur gjithçka dhe do të shkojë shumë më i relaksuar në ndeshjen kthyese në Paris.

PSG kërkoi edhe vetë penallti kur goditja e Rabiot u përplas në dorën e Sergio Ramosit, gjë për të cilën u ankua edhe trajneri Unai Emery.

E presidenti i gjigantit francez pohon se PSG vuan nga gjyqtarët kur luan ndaj klubeve të mëdha evropiane.

“Kur luajmë kundër klubeve të mëdha, gjithmonë ndodh e njëjta gjë, gjithmonë. Vitin e kaluar kundër Barcelonës, këtë vit kundër Real Madridit. Në rregull, Reali është klub i madh, por mjaft është mjaft, UEFA duhet të bëjë diçka. Gjyqtari ishte në favor të Realit”, ka thënë Al-Khelaifi.