Futbolli kthehet me Kupë

Sport February 14, 2018 - 12:19

Futbolli kosovar ia bën sefte vitin 2018 me ndeshjet e rrethit të katërt të Kupës së Kosovës, të cilat do të zhvillohen këtë mesjavë, shkruan zeri.info.

Gjashtë ndeshje interesante pritet të zhvillohen të mërkurën, të cilët do ta hapin edhe zyrtarisht pjesën pranverore të sezonit.

Prishtina do të luajë në Ferizaj si vendëse në duel me rivalin lokal, Kosova e Prishtinës. Bardhekaltrit janë përgatitur maksimalisht gjatë dy javëve të qëndrimit në Antalya të Turqisë dhe shihen si favoritë për këtë ndeshje ndaj ekipit që garon në Ligën e Parë të Kosovës.

Madje, klubi më i madh kosovar ka vendosur që hyrja për këtë ndeshje në fushën me bar sintetik në Ferizaj të jetë falas.

Nga ana tjetër, Kosova do të tentojë ta bëjë mrekullinë ndaj pesë herë fituesit të Kupës së Kosovës.

Ndërkohë, një ndeshje tjetër interesante pritet të jetë ajo në mes kampionit aktual të Kosovës, Trepça ’89 dhe finalistit të fundit të Kupës, Llapi.

Të dyja skuadrat do të tentojnë të fitojnë në duelin që luhet në stadiumin “Riza Lushta” për të mbetur në garë për këtë trofe, fituesi i së cilit do të luajë në Europa League sezonin e ardhshëm.

Gjilani do të ketë punë mjaft të vështirë në udhëtimin e tij në Therandë, ku e pret Ballkani i superpërforcuar, kurse Vëllaznimi shihet si favorit në duel me Rahovecin.

Edhe Drita llogarit në fitore në udhëtimin e saj në Istog. Drenica, e cila bëri riorganizim së fundmi e sheh veten në çerekfinale pas duelit me Arbërinë, kurse Lirinë e pret një atmosferë e zjarrtë në Vushtrri.

Fituesit e këtyre dueleve do tw kualifikohen në çerekfinale dhe do t’i mësojnë emrat e kundërshtarëve këtë të premte. /Zëri/

Çiftet e rrethit të katërt të Kupës:

Ballkani – Gjilani

Trepça’89 – Llapi

Vëllaznimi – Rahoveci

Drenica – Arbëria

Vushtrria – Liria

Istogu – Drita

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 12:30