Akili, Nora dhe Distria e përfaqësojnë Kosovën në turneun grand slam të Parisit në xhudo

Sport February 03, 2018 - 17:59

Kosova do të përfaqësohet nga Akil Gjakova, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi në turneun grand slam në xhudo, i cili do të mbahen javën e ardhshme në Paris të Francës.

Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) njoftoi në ueb faqen e vet se grand slami i Parisit do të zhvillohet më 10 dhe 11 shkurt në “AccorHotels Arena”, ku do të marrin pjesë edhe tre xhudistët tanë, përcjell Express.

“Te tre garuesit do te ndeshen ne ditën e pare te garave, te shtunën me 1o shkurt ,kurse shorti i garës do te hidhet me 9 shkurt nga ora 14:00”, njoftoi FXHK-ja.

Kah fundi i muajit të kaluar, treshja ia solli Kosovës tri medalje nga turneu grand prix, i cili u mbajt në Tunizi.

Nora Gjakova siguroi medaljen e artë duke i mposhtur të gjitha pesë kundërshtaret me të cilat u përballë në kategorinë deri 57 kilogramë.

Distria Krasniqi, që garoi në kategorinë deri 52 kilogramë, rrëmbeu të argjendtën, ndërsa Akil Gjakova fitoi po ashtu të argjendtën.