Shpresat e Arsenalit

Sport February 03, 2018 - 11:04

Dy transferimet e reja të Arsenalit në afatin kalimtar të dimrit Henrikh Mkhitaryan dhe Pierre-Emerick Aubameyang kanë qenë jashtëzakonisht efikas kur luanin së bashku te Borussia Dortmundi. Nënshkrimi me reprezentuesin armen dhe atë gabonez pa dyshim që i ka shtuar shpresat e tifozëve për të parë lojën e shpejtë të Arsenalit të dikurshëm.  

Shpresat e tifozëve të Arsenalit për suksese në një të ardhme të afërt janë shtuar, kjo falë afatit kalimtar dimëror, gjatë të cilit klubi londinez nënshkroi me Henrikh Mkhitaryanin dhe Pierre-Emerick Aubameyangun. Dyshja, e cila ka luajtur së bashku para disa viteve në Borussia Dortmund, ka ngjalluar shpresat për suksese në “Emirates”.

Para disa vitesh ish-portieri i Arsenalit kishte shpjeguar lojën e klubit londinez gjatë viteve 2003-2006 duke parashtruar një pyetje provokuese. “Cila është gjëja më e shpejtë në futboll?”, kishte pyetur gjermani, ndërsa kishte shtuar se nuk është topi. “Askush nuk është më i shpejtë në fushë sesa një mendim. Pastaj vjen topi. Pastaj lojtarët. Sinqerisht mund t’ju them se gjatë viteve 2003-2006 ne kemi luajtur një futboll shumë të shpejtë. Një prekje. Ishte e bukur për t’u parë”, ishte shprehur Lehmann.

Futbolli i shpejtë. Ky është një aspekt që nuk e gjejmë te Arsenali kohëve të fundit sepse matja e shpejtësisë është ndalur. Ritmi i shpejtë i lojës që kishte sjellë Arsene Wnger kur kishte ardhur për herë të parë në Angli, futbolli shpërthyes para syve të Lehmannit, nuk është i dukshëm. Kur Arsenali vuan për të shënuar hapet shumë dhe rrezikon gabimet, ashtu siç ndodhi edhe ndaj Swanseas të martën kur humbi 3:1. Kjo është një botë larg ekipit të vjetër të Wengerit.

Alexis Sanchez e kuptonte futbollin e shpejtë, me vrapimet e tij shpërthyese, pasimet e shpejta dhe kërkesat e tij ndaj të tjerëve. Por gjersa ai e ofronte këtë në formë individuale, është e qartë se Arsenali nuk ka luajtur me stilin e shpejtë të lojës prej kohësh. Kjo sepse është e vështirë të arrihet më një formacion pa lojtar të talentuar dhe inteligjent. Gjithashtu nuk u ka ndihmuar mungesa e ndërtimit të skuadrës rreth një sulmuesi të shpejtë, që prej kohës së Thierry Henrys.

Por, në afatin kalimtar dimëror ka ndodhur diçka jashtë transferimeve të zakonshme të Arsenalit. Klubi londinez ka sjellë dy lojtarë si Pierre-Emerick Aubameyang dhe Henrikh Mkhitaryan, të cilët mund të rikthejnë stilin e shpejtë të futbollit në “Emirates”.

Aftësia e Aubameyangut për të gjetur hapësirën e lidhjen me bashkëlojtarët dhe gjithashtu vrapimi i tij e bëjnë atë një lojtar të duhur për stilin e lojës së shpejtë të Arsenalit. Ritmi i tij i lojës mund të ketë impakt të madh te Arsenali. Kontributi i qartë në shpejtësinë e lojës vjen edhe nga fakti se kemi të bëjmë me një dyshe të provuar tashmë. Tandemi me Mkhitaryanin, të cilin e kishin pasur te Borussia Dortmundi sjell shpresë për sulmin e londinezëve. Mesut Ozil pa dyshim që mund të inkuadrohet në këtë stil shumë shpejt.

Në edicionin e fundit që Aubameyang dhe Mkhitaryan luajtën së bashku në Dortumd në sezonin 2015/2016 kanë krijuar shifra prej 59 golave dhe 21 asistimeve mes tyre dhe gjithashtu pjesëmarrës në shumë aksione të golave të tjerë. Ata kishin një raport mes vete ku njëri asistonte e tjetri finalizonte.