Krasniqi i hyn rrugës së vështirë

Sport February 03, 2018 - 09:55

Haxhi Krasniqi të shtunën do ta nisë për herë të tretë rrugëtimin drejt titullit të kampionit të botës, synim ky jetësor i tij. Boksieri i famshëm kosovar gjatë karrierës së tij të deritanishme i pati fituar dy shanse fenomenale për ta fituar titullin botëror, por në të dyja ato raste fatkeqësisht pati dështuar.

Sidoqoftë, këto tentativa e kanë bërë atë ndër boksierët më të suksesshëm shqiptarë në histori.

Dhe për Krasniqin kishte fatmirësi në fatkeqësi në të dyja ato përpjekje të dështuara të tij. Fatmirësi ishte mosha e tij e re në të cilën kishte arritur t’i afrohet dy herë titullit. Kështu, tani në moshën 30-vjeçare junikasi e nisi rrugëtimin e tretë drejt të njëjtit epitet. Dhe, sfida e parë është polaku 29-vjeçar, Bartlomiej Grafka, me të cilin Krasniqi do të boksojë të shtunën mbrëma në “Gas Arena”, në Halle të Gjermanisë. Ky do të jetë dueli i parë i Krasniqit për vitin 2018.

Njëherësh kjo do të jetë sfida e parë e tij që nga muaji prill i vitit të kaluar kur e pati pësuar humbjen e rëndë nga Arthur Abraham. Krasniqi e pranon se humbja nga Abraham ishte mjaft e rëndë për të pasi shkaku i saj për të dytën herë e lëshoi shansin për ta arritur qëllimin jetësor. Mirëpo thotë se atë ia ka lënë të kaluarës dhe se po shikon kah e ardhmja. Ende e sheh duke i buzëqeshur titulli botëror. Drejt tij synon të niset sonte me një fitore kundër polakut, të cilin e vlerëson, por beson se do ta dërrmojë.

“Nuk jam dorëzuar asnjëherë në përpjekjen për ta realizuar ëndrrën time – titullin botëror. Sikur t’i humbja shpresat nga titulli sinqerisht do ta lija boksin dhe nuk do ta shkatërroja veten me ushtrime tejet të mundimshme, me sakrifica e vështirësi nga më të ndryshmet”, thotë Krasniqi, i bindur se të shtunën do të festojë pasi me fitore do t’ia mësyjë sërish titullit. “Unë nuk jam dorëzuar asnjëherë dhe vazhdoj të merrem me boks. Vazhdoj sepse unë ende besoj në titull.

Do ta kërkoj atë dhe nuk do të dorëzohem përderisa kam gjasa. Shpresoj që të fitoj më 3 shkurt dhe me fitore ta nis një rrugëtim të ri drejt titullit”, është shprehur Krasniqi.

Fitore me gjithë forcën do të kërkojë edhe Bartlomiej Grafka, i cili i ka fituar 20 nga 50 meçet që i ka zhvilluar në karrierë, duke i humbur 27 sosh dhe duke barazuar në tre të tjerë. Kurse Krasniqi i ka 45 fitore dhe pesë humbje, gjë që e bën atë favorit.

Dueli Krasniqi dhe Grafka do të zhvillohet në tetë runde dhe do të jetë kryesori i mbrëmjes.

Polaku e ka provuar “boksin” shqiptar

Kundërshtari i sotëm i Haxhi Krasniqit Bartlomiej Grafka është i njohur për opinionin tonë. Ai dy herë ka boksuar me boksierin tonë Naim Terbunja duke pësuar humbje në dyja përballjet më 2012-n, në Prishtinë dhe më 2014-n në Malmo të Suedisë. 

Image