Zori mobilizon pejanët

Sport February 03, 2018 - 08:31

Besa po përgatitet intensivisht për sezonin pranveror gjatë të cilit do ta presë sfida e madhe – lufta për mbijetesë në Superligën e futbollit.

Sezoni vjeshtor ishte ndoshta më i vështiri në historinë e klubit të madh kosovar. Kriza financiare dhe organizative i shkaktoi ekipit pejan edhe rezultate negative, të cilat e dërguan në pozitën e dhjetë me vetëm 13 pikë. Kështu, ekipi kuqebardh sezonin pranveror do ta nisë nga zona e barazhit me dy pikë më shumë sesa Flamurtari, që gjendet në zonën e largimit të drejtpërdrejtë nga Superliga.

Është dashur ndërhyrja e Komunës së Pejës për t’i krijuar Besës kryesi të re, e cila fillimisht ndërpreu ikjet e vazhdueshme të futbollistëve dhe shpejt i bindi ata që i ndali t’i nisin përgatitjet për stinorin pranveror. Paraprakisht kryetari i ri Mustafë Nila e ktheu Valdet Shoshin në krye të shtabit teknik dhe bashkërisht u krijuan kushte lojtarëve për fillim të përgatitjeve, të cilat tani pejanët po i kryejnë me një dinamikë të lartë. Krejt në fund të afatit kalimtar Besa i bëri edhe disa përforcime shpresëdhënëse. “Me iniciativën e kryetarit të Komunës është zgjedhur kryetari i ri i klubit, Mustafë Nila. Duke iu falënderuar këtyre njerëzve shumë shpejt arritëm të riorganizohemi.

Filluam përgatitjet. Jemi mobilizuar”, ka thënë kryetrajneri Valdet Shoshi, i cili bashkë me lojtarët e tij janë mobilizuar për ta kaluar sfidën e madhe dhe të vështirë pranverore. Në ndihmë të pejanëve kanë ardhur edhe gjashtë përforcime interesante dhe shpresëdhënëse për t’u ndihmuar në luftën për mbijetesë. “Mbijetesa është mision i vështirë dhe kam qenë i vetëdijshëm për këtë.

Duke e ditur se jam i lidhur me këtë klub, me këtë qytet, nga fëmijëria e pranova sfidën. Më qante zemra për situatën në të cilën kishte ardhur Besa. Kurrë nuk e kam parë Besën në situatë kaq të vështirë. Pra, jemi para një misioni të vështirë, por jo të pakalueshëm. Jam shumë optimist duke e parë edhe interesimin e kryetarit të Komunës dhe kryetarit të klubit se do të mbesim në Superligë”, ka theksuar Shoshi.

Shkuarjet – ardhjet

Gjatë janarit nga Besa janë larguar Altin Merlaku, Arbër Hoxha, Fatlum Gashi, Argjend Xhafa dhe trajneri Sahit Gashi. Por, krejt në fund skuadrën kuq e bardh e ka marrë në dorë trajneri Valdet Shoshi, i cili në Pejë i solli këta lojtarë: Robert Gjerajn, Burim Fetahun, Shkëmbim Salihun, Fatmir Molabecirovicin, Tihomir Zivkovicin dhe Benjamin Rexhën.