Kështu e mbylli Kosova ndeshjen e tretë eliminatore të Botërorit!

Sport January 14, 2018 - 19:06

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e ka mbyllur me tri humbje nga po aq ndeshje kampanjën kualifikuese për Kampionatin Botëror 2019, shkruan zeri.info.

Verdhekaltrit, të cilët ishin pjesë e Grupit 4, e pësuan sonte humbjen e tretë rresht brenda tri ditësh.

Ekipi i Taip Ramadanit u mund të dielën nga Qipro me rezultat të ngushtë, 22:24, edhe pse synonte që së paku ndaj qipriotëve të fitonte në këto eliminatore.

Përfaqësuesja e Kosovës ka luajtur mjaft mirë në pjesën e parë, e cila ka qenë e nivelizuar dhe ka përfunduar baras, 14:14.

Megjithatë, si në ndeshjet tjera, ritmi i Kosovës ra në pjesën e dytë, të cilën e humbi 8:10, respektivisht me dy gola disavantazh.

Fatlum Ahmeti dhe Florim Hoxha janë dalluar më së shumti tek Kosova me nga 4 gola, kurse i pandalshëm tek qipriotët ishte Julios Argyrou, i cili realizoi 12 gola.

Paraprakisht, Kosova i kishte nisur eliminatoret për Botëror me humbje nga Polonia të premten me rezultat 19:30.

Image

Mirëpo, Verdhekaltrit kishin befasuar në pjesën e parë, të cilën e mbyllën në të mirë të tyre, 13:12.

Sidoqoftë, në pjesën e dytë kosovarët ranë nga loja e tyre dhe u treguan të pafuqishëm ndaj skuadrës së fuqishme polake.

Ndërkaq, në ndeshjen e dytë, të zhvilluar të shtunën ndaj mikpritësit të kësaj faze, Portugalia, Kosova u mund 22:36.

Edhe këtë ndeshje kosovarët e nisën mirë, duke udhëhequr 6:3, por më pas portugezët e morën lojën në dorë dhe e dominuan pjesën dërrmuese të saj.

Duhet cekur se faza eliminatore u zhvillua në Portugali. Përkundër eliminimit, Kosova kohë pas kohe tregoi lojë të mirë, por pjesa e dytë ishte fatale për të. /Zëri/