ZYRTARE: Ky është kundërshtari i radhës i Përfaqësueses së Kosovës!

Sport January 14, 2018 - 18:43

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka gjetur kundërshtarin e Përfaqësueses së Kosovës për miqësoren e muajit shkurt, shkruan zeri.info.

Në fakt, Verdhekaltrit, të cilët e kanë vuajtur mungesën e ndeshjeve miqësore që prej pranimit në UEFA e FIFA, do të përballen me 2 shkurt në Antalya të Turqisë ndaj një kundërshtari modest.

Bëhet fjalë për Azerbajxhanin. FFK-ja njofton se të hënën është paraparë të nënshkruhet marrëveshja e kësaj ndeshjeje miqësore.

Gjithashtu, shtëpia e futbollit kosovar njofton se Përfaqësuesja e Kosovës do të përbëhet nga futbollistët e Superligës së Kosovës, që njëherësh do të jetë një test i mirë për ta parë cilësinë e futbollistëve vendorë, të cilët deri tash kishin pak hapësira në Përfaqësuese.

Ndërkohë, FFK-ja është duke bërë përpjekje që ta gjejë trajnerin e ri të Përfaqësueses, i cili do ta pasojë Albert Bunjakin e larguar. Në ndeshjen e fundit, Kosovën e udhëhoqi ndihmësi i Bunjakit, Muharrem Sahiti. /Zëri/