Këta janë laureatët e futbollit kosovar për vitin 2017

Sport January 12, 2018 - 18:30

Valon Berisha është mbret i futbollit kosovar. Ylli i Përfaqësueses së Kosovës sonte u shpall “Futbollisti më i mirë i vitit 2017”, në ceremoninë solemne të organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), raporton “Zëri”.

Kjo është hera e dytë që mesfushori i Salzburgut shpallet futbollisti më i mirë në Kosovë, çmim të cilin e kishte marrë edhe për vitin 2016. Me këto dy çmime që mori në vendlindje Berisha vetëm se është bindur që ia kishte vlejtur për t’iu bashkuar reprezentacionit kosovar, për të cilin e kishte lënë para dy vjetësh Norvegjinë, raporton “Zëri”.

Image

Amir Rrahmani dhe Hekuran Kryeziu ishin konkurrentët e tij.

Derisa çmimi kryesor ka shkuar te Valon Berisha i Përfaqësueses së Kosovës, Florent Hasani i Trepçës ’89 është shpallur futbollisti më i mirë i Superligës kosovare për vitin 2017. Ndërsa, sulmuesi i të njëjtit ekip, John Otto John është zgjedhur golashënuesi më i mirë. Në ekipin e vitit janë përfshirë këta futbollistë: Faton Maloku, Armend Thaçi, Armend Dallku, Ardian Limani, Rron Broja, Hamdi Namani, Mentor Zhdrella, Xhevdet Shabani, Florent Hasani, Mirlind Daku dhe Genc Hamiti.

Trepça ’89 e ka marrë epitetin e klubit më të mirë dhe po ashtu çmimin e “Fair Play-t”. Kurse, Havalia ka triumfuar te femrat dhe Liburni në futsall.

Zekirja Ramadani është zgjedhur trajneri më i suksesshëm i vitit, kurse Genc Nuzës i ka takuar çmimi i gjyqtarit.