Qeveria - FFK-ja: Shpendi dhe Prishtina na keqkuptuan

Sport January 12, 2018 - 14:54

Vizita e ministrit të Sportit, Kujtim Gashi, që e bëri të enjten në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) ka shkaktuar polemika të shumta, sidomos në kryeqytet. Dhe, polemikat kanë të bëjnë me stadiumin e Prishtinës, e të cilat tashmë duket të kenë marrë edhe kahje politike, raporton “Zëri.info”.

Gjatë vizitës në FFK, ndër të tjera ministri e kishte paralajmëruar nismën për hartimin e Ligjit për Menaxhimin e Objekteve Sportive. Ky deklarim i Gashit në kryeqytet është nënkuptuar se përpjekje e tij për t’ua marr prishtinasve stadiumin dhe për ta lënë në duart e Fadil Vokrrit.

Mirëpo, reagimet e prishtinasve kanë qenë të menjëhershme, të cilët janë zotuar se nuk do të lejojnë që historia e dhimbshme e Pallatit të Sporteve dhe të Rinisë të përsëritet në stadiumin e kryeqytetit, me të cilin prishtinasit janë të lidhur shpirtërisht me dekada të tëra.

Reagimi më i madh ka ardhur nga tifozët e njohur nga Prishtina, ">“Plisat”, të cilët janë betuar se nuk do të lejojnë që ky objekt i krenarisë të politizohet dhe t’i merret nga duart Prishtinës për t’iu dhënë FFK-së apo dikujt tjetër.

Në mbështetje të prishtinasve të shqetësuar kishte dal edhe kryetari i Komunës, ">Shpend Ahmeti. “Ministri Gashi duhet me e dit që stadiumi i Prishtinës është pronë e Komunës së Prishtinës dhe që nuk ka nevojë me e hjek prej procesit të privatizimit sepse nuk është ndërmarrje shoqërore. Kjo pronë komunale do të jetë në dispozicion të reprezentacionit tonë dhe Klubit Prishtina duke u bazuar në modelet e avancuara të menaxhimit të stadiumeve Komunale. Këtë e kemi diskutuar edhe me Federatën”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.

Mirëpo, gazeta “Zëri” ka marrë sqarim nga ministri Kujtim Gashi. Ai tha se prishtinasit pa kurrfarë nevoje bënë zhurmë. “Nuk i kuptoj reagimet, përfshirë reagimin e kryetarit Shpend Ahmeti. Unë kam thënë se Qeveria do ta shqyrtoj mundësinë që objekti në të cilin është e vendosur FFK-ja të kalojë nën menaxhimin e Federatës. Po ashtu kam folur për Ligjin e Menaxhimit të Objekteve Sportive i cili do të mundësojë që ndonjë stadium që ka vështirësi për t’u menaxhuar të und të kalojë nën menaxhimin e federatës”, tha Gashi.

“Stadiumet janë të komunave dhe komunat vendosin se kujt t’u lënë stadiumet nën menaxhim. Askush nuk synon t’ua marrë. Stadiumet janë nën juridiksionin e plotë të komunave. Por, me ligjin që pritet të bëhet komunave që e kanë problem t’i menaxhojnë stadiumet u lehtësohet puna. Po ashtu, është në interes të infrastrukturë”, deklaroi Gashi.

Njëjtë thotë edhe FFK-ja. “Deklaratat e dala pas vizitës së ministrit në FFK janë keqkuptuar. Në takim është diskutuar avancimi i procesit të bërjes së Ligjit për Menaxhimin e Objekteve Sportive, i cili ligj mundëson mirëmbajtjen e stadiumeve. Vetëm pas bërjes së ligjit mund të diskutohet dhe të vendoset se kujt duhet t’i mbesin nën menaxhim terrenet e futbollit - federatës, klubeve, apo dikujt tjetër. Me rëndësi është se ligji do të sigurojë mirëmbajtje të stadiumeve”, ka deklaruar FFK-ja për “Zërin”.

Kurse, FC Prishtina nuk ka komentuar duke thënë se nuk e ka marrë me shqetësim situatën e krijuar sepse nuk e sheh si diçka serioze./Zëri/