Ëndrra vazhdon

Sport January 12, 2018 - 12:20

Haxhi Krasniqi po planifikon të rikthehet fuqishëm në vitin 2018. Boksieri kosovar thotë se e ka lënë prapa krahëve vitin e shkuar, i cili nuk ishte pozitiv për të, për ta ndjekur ëndrrën e tij të kamotshme – të shpallet kampion bote në boksin profesionist. 30-vjeçari insiston se nuk do të dorëzohet kurrë dhe zbulon se ka punuar qe disa muaj për meçin e 3 shkurtit, edhe pse kundërshtarin nuk e njeh ende, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Ëndrra e Haxhi Robin Krasniqit për t’u shpallur kampion bote në boksin profesionist nuk ka marrë ende fund. Boksieri kosovar dështoi ta bënte një gjë të tillë në dy tentimet e para, por ai nuk është dorëzuar assesi. Junikasi është përgatitur në muajt e fundit dhe synon të kthehet fuqishëm për ta realizuar ëndrrën e tij për t’u bërë shqiptari i parë që shpallet kampion bote në këtë sport luftarak.

Bokson më 3 shkurt

Haxhi Krasniqi në muajt e fundit ka qëndruar në “shtëpinë e tij të dytë”, në bjeshkët bavareze, ku ka ushtruar fort për rikthimin e tij. “Never Give Up” (Kurrë mos u dorëzo) – është motoja e 30-vjeçarit, i cili ka 45 fitore e 5 humbje në karrierë.

Krasniqi momentalisht është i 25-ti në renditjen botërore, por ai nuk heq dorë asnjëherë nga synimet e tij, që të ngrihet sa më lart të jetë e mundur.

Ai kishte humbur nga Arthur Abraham, në përballjen e zhvilluar në prill të vitit 2017, në meçin eliminator të WBO-së që ishte zhvilluar në Erfurt të Gjermanisë.

Ndërkaq, meçi i radhës i Krasniqit do të jetë ai i 3 shkurtit të këtij viti në Gjermani. Sipas medieve gjermane, ende nuk dihet emri i kundërshtarit të junikasit, por që ai do të zbulohet në ditët në vazhdim, shkruan Zëri

Edhe vetë boksieri kosovar e ka konfirmuar meçin e radhës përmes grupit të tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

“Do të kthehem në ring më 3 shkurt në palestrën ‘Ergas Arena’ në qytetin gjerman ‘Aunt der Saale’. Kundërshtari do të vendoset shumë shpejt”, ka shkruar junikasi.

Krasniqi: Nuk dorëzohem kurrë

Haxhi Krasniqi do t’i rikthehet ringut muajin e ardhshëm pas gati një viti, derisa do ta ketë të obligueshme fitoren për t’iu afruar edhe më shumë ëndrrës së tij. Krasniqi nuk e ka ndërmend të dorëzohet asnjëherë dhe është i vendosur më shumë se kurrë që në tentimin e tretë të shpallet kampion bote. Ai beson në thënien e famshme “E treta, e vërteta”.

“E kam lënë prapa krahëve një vit të vështirë, por këtë do ta përdor si një eksperiencë që më nevojitet. Natyrisht, nuk dorëzohem kurrë në realizimin e ëndrrës sime”, është shprehur Krasniqi në konferencë për shtyp, ku ishin të pranishëm të gjithë boksierët që janë pjesë e kompanisë SES.

Krasniqi ishte mposhtur në dy tentimet për t’u shpallur kampion bote, së pari nga britaniku Nathan Cleverly në vitin 2013 në Angli dhe më pas nga Jurgen Brahmer në vitin 2015 në Gjermani. Sidoqoftë, Krasniqi konsiderohet si boksieri më i madh shqiptar i momentit dhe njëri prej më të mirëve në histori të boksit shqiptar.

Uldedaj kërkon titullin

Me shtatë fitore më shtatë përballje në boksin profesionist, talenti shqiptar Jurgen Uldedaj do ta kërkojë për herë të parë titullin e kampionit. 20-vjeçari do të mundohet ta fitojë brezin e artë në kampionatin gjerman, në ballafaqimin me të pamposhturin Jakub Synek (8 fitore). Uldedaj, i cili ushtron nën urdhrat e trajnerit Dirk Dzemski, është duke u përgatitur qe disa muaj dhe është i vendosur ta fitojë këtë titull, për të synuar më pas tituj më prestigjiozë.

Krahas tij, në Evropë dhe në botë në përgjithësi me sukses boksojnë edhe boksierë tjerë shqiptarë. Boksi është njëri prej sporteve që u ka sjellë më së shumti suksese shqiptarëve ndër vite./Zëri