Vështirë me Poloninë

Sport January 12, 2018 - 11:02

Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë të premten aventurën në kualifikimet e Kampionatit Botëror të Hendbollit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Danimarkë dhe në Gjermani, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Skuadra e Taip Ramadanit është grumbulluar ditë më parë dhe është munduar të përgatitet për sfidat që e presin në këtë eksperiencë të vështirë.

Verdhekaltrit e kanë marrë rrugën drejt Portugalisë, ku do të zhvillohen ndeshjet e grupit të katërt të rundit të parë të kualifikimeve evropiane për Botëror.

Duelin e parë, përfaqësuesja kosovare do ta zhvillojë ndaj Polonisë favorite të grupit sot, duke filluar nga ora 17:15.

“Synimi është ta sigurojmë një fitore dhe t’i shtyjmë polakët e portugezët deri në fund. Realisht këto dy ekipe kanë përvojë ndërkombëtare të madhe dhe shumica e lojtarëve të tyre luajnë javë çdo javë në Ligën e Kampionëve, përvojë që neve na mungon. Janë favoritë, por nuk do t’ia dhurojmë askujt fitoren pa luftë”, është i vendosur përzgjedhësi Ramadani.

Kosova e zhvillon duelin e dytë kualifikues të shtunën duke filluar nga ora 18:00 ndaj mikpritësit të kësaj faze, Portugalisë, kurse këtë eksperiencë e mbyllë me duelin ndaj Qipros, që zhvillohet të dielën nga ora 15:30. Është pikërisht dueli me qipriotët në të cilin Përfaqësuesja e Kosovës synon ta shënojë fitoren e parë në këto eliminatore. Në kualifikimet e kaluara Verdhekaltrit e kishin shkruar historinë duke e nxjerrë një barazim me Turqinë.

Kualifikimet e “Botërorit 2018”

Grupi 4

E premte

17:15 Polonia – Kosova

E shtunë

18:00 Kosova – Portugalia

E diel

15:30 Qipro – Kosova