Rilind Paulinho

Sport January 04, 2018 - 14:19

Paulinho kishte menduar që ta lërë futbollin në moshën 19-vjeçare dhe ishte kritikuar dhe përfolur shumë kur ishte larguar nga Tottenhami në drejtim të Kinës në vitin 2015. Por, 2017-a ishte viti i “rilindjes” së tij. Braziliani u transferua te Barcelona. Paraqitjet e tij me klubin katalonjas kanë bërë që kritikët të heshtin, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Viti që lamë pas ishte i jashtëzakonshëm për Paulinhon. Reprezentuesi brazilian u largua nga Guangzhou Evergrande në drejtim të Barcelonës në verën e kaluar. 29-vjeçari, i cili ishte përfolur dhe kritikuar shumë kur kishte vendosur të largohet nga Tottenhami në drejtim të Kinës në vitin 2015, është paraqitur në 22 ndeshje deri më tani këtë edicion për Barcelonën dhe ka realizuar 6 gola dhe 2 asistime. Paulinho, i cili në moshën 19-vjeçare kishte menduar tërheqjen nga futbolli, tashmë i ka heshtur shumë nga kritikët e tij.

“I thashë atij se nuk doja të luaja më. Ai telefononte vazhdimisht, por unë i thashë ‘nuk do të luaj’”, shprehet Paulinho. Thirrjet vinin nga presidenti i klubit, por Jose Paulo Bezerra Maciel Junor, i njohur si Paulinho, i cili nuk njihej atëkohë, e kishte ndarë mendjen. Ai ishte kthyer në shtëpi në Sao Paolo, sidoqoftë para se të shkonte te klubi i tij i fëmijërisë ai po e linte lojën. Ai ishte lodhur që në moshën 19-vjeçare. “Në Lituani më kishin fyer në baza racore, në Poloni nuk më kishin paguar dhe mendova “Nuk më duhet kjo. I thashë familjes ‘nuk do të luaj më futboll’”.

Ishte bashkëshortja e tij që intervenoi duke i thënë atij që të mendojë për prindërit, një punonjëse bashkie dhe një menaxheri të një shitoreje, të cilët e kishin mbështetur atë që prejse kishte filluar të luante në moshën 5-vjeçare. Ajo i kishte thënë që të tregonte respekt për ta. Gruaja e Paulinhos sapo kishte lindur një vajzë dhe e kishte pyetur: “Çfarë do të bësh?” Një pyetje mjaft e mirë. Çfarë do të kishte bërë ai? Paulinho qesh. “Me të vërtetë nuk e di. Ajo më tha ‘e vetmja gjë që mund ta bësh është futbolli’”, thotë braziliani. Dhe këtë gjë e bëri, transmeton "Zëri".

Pas një muaji Paulinho i ishte bashkuar Pao de Açurar në ligën e katërt thuajse amatore. Ndërsa pas një dekade ai u paraqit në ndeshjen me të madhe të botës, “El Clasiscon” mes Barcelonës dhe Real Madridit të shtunën e 23 dhjetorit. “Nëse dikush do të më kishte thënë se do të përgatitesha për të luajtur në Kupën e Botës te Barcelona do të thosha ‘kurrë, kurrë, kurrë”, shprehet Paulinho. “Kam dëgjuar të kenë thënë se i kam heshtur kritikët disa herë, por nuk është kjo. Nuk kam pse ta provoj veten para askujt. Nuk luaj për kritikët, unë luaj për bashkëlojtarët e mi. Për tre, katër vjet nuk kam dëgjuar asgjë. Njerëzit flasin dhe do ta bëjnë gjithmonë. ‘Ai është mirë tani sepse është te Barça”, thotë reprezentuesi brazilian.

Paulinho edhe njëherë reflektoi për fillimin e karrierës së tij. “Ishte e vështirë për të lënë pas gjithçka në moshën 17-vjeçare, por ika. Dhe pastaj pas problemeve me racizmin e luftës për t’u paguar nuk doja të vazhdoja. Unë po luftoja për gjërat që ishin të drejtat e mia. Nuk kërkoja shumë, thjesht doja që të isha i respektuar dhe të paguhesha”, shprehet mesfushori. “Familja ime nuk kishte shumë, por ishim mirë, mund të jetonim, kështu që mendova ‘nuk kam nevojë për këtë gjë’. Nuk ishte që nuk më pëlqente futbolli, por nuk doja të luaja më. Pas një kohe ata më bindën. Ne qeshim tani për këtë gjë. ‘E shikon! Imagjinoje nëse do të ishe ndalur atëkohë’. Kam pasur shumë përvoja dhe nuk do të ndërroja asgjë. Nga aty shkova te Tottenhami dhe pastaj në Kinë sepse doja të luaja. 2014-a ishte një vit i vështirë, 2015-a gjithashtu, me të gjithë që thoshin ‘karriera e Paulinhos ka mbaruar’. Të gjithë thoshin se ishte fundi’, ata thoshin se nuk isha aq i mirë, por unë fitova gjashtë tituj brenda vitit, u ktheva përsëri në ekipin e Brazilit. Tani kjo. Ky është futbolli. Ishte si një tren rrotullues, askush nuk ma dha shansin, por ja ku jam”, përfundon ai. /Zëri