John, a je ti?!

Sport December 02, 2017 - 14:06

Trepça ’89 mbetet një kandidate për ta fituar titullin e kampiones së Kosovës, por deri më tani nuk e ka arsyetuar në mënyrën më të mirë ambicien e saj. Kjo pasi kampionia në fuqi pas 17 xhirosh numëron shtatë fitore dhe pesë barazime, krahas pesë humbjeve. Deri më tani i ka tubuar 26 pikë dhe është e gjashta në renditjen tabelore, me shtatë pikë më pak sesa kryesuesi, Llapi, shkruan sot, gazeta Zeri.

Në fakt, prej Trepçës ’89 pritej shumë më shumë sepse kampionatin e kishte nisur si kampione me të njëjtit futbollistë, të cilëve ua kishte shtuar edhe disa përforcime interesante.

Natyrisht, fajtorë janë të gjithë “Minatorët”, por fajtori më i madh konsiderohet Oto John, i cili në edicionin e kaluar ishte më meritori në shkëlqesinë e ekipit mitrovicas. Me 27 gola të shënuara, John pati bërë sensacion në edicionin e shkuar, duke u bërë bindshëm golashënuesi më i mirë i Superligës.

Me fjalë tjera, ishte i pakonkurrentë në këtë aspekt dhe kreatori kryesor i titullit të ’89-shit. Mirëpo, brenda një kohe të shkurtër afrikani ndryshoi. Për fatin e keq të mitrovicasve ai ndryshoi për të keq, gjë që u konvenon vetëm ekipeve kundërshtare të Trepçës ’89. Pas 17 xhirosh të këtij kampionati John numëron vetëm 7 gola të shënuar. Ndërsa pritshmëria prej tij ishte rreth 15 sosh.

Gjithsesi, 7 golat e deritanishëm të tij vlerësohen në Mitrovicë, ku e pranojnë se prisnin shumë më shumë prej yllit të tyre në sezonin e shkuar. “Johni? Johni na plasi zemrat”, thotë me shaka presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, i cili e pranon se priste më shumë prej sulmuesit të shkathët. “Në secilën lojë i ka nga dy-tri shanse të qindpërqindta dhe nuk po arrin dot të shënojë. Nuk është Johni i kampionatit të kaluar, por ai mbetet një lojtar mjaft cilësor”, thekson Zeka, i cili konfirmon se John nuk do të largohet nga stadiumi “Riza Lushta” as gjatë afatit kalimtar të janarit.

Zeka thekson se skuadra e tij nuk do të dorëzohet në luftën për titull të kampionit deri në fund të kampionatit, përkatësisht përderisa ka gjasa matematikore.

“Ne besojmë se John do t’u kthehet golave shumë shpejt. Ai nuk është në listën e transferimeve dhe do të mbetet pjesë e skuadrës sonë. Ne presim shumë prej tij”, ka potencuar Zeka, i cili ndien se skuadra e tij po dëmtohet edhe nga gjyqtarët, duke numëruar edhe penallti të pastra që nuk i janë akorduar ’89-shit, të cilat ndoshta do t’i ndihmonin Johnit për ta rritur numrin e golave të shënuar. Ai i ka aktualisht dy gola më pak sesa kryesuesi i listës së golashënuesve, Mirlind Daku i Llapit, me 9 sosh./Zeri/.