Ëndrra Botërore e Behramit

Sport November 16, 2017 - 12:55

Valon Behrami e pati fatin të rritet në Zvicër, një vend i mundësive, shkruan sot gazeta Zëri.

Dhe futbollisti kosovar si fëmijë së bashku me familjen kishte emigruar drejt shtetit helvetik në një moment kur në Kosovë po përkeqësohej situata dhe po afrohej lufta.

Dhe mitrovicasi e shfrytëzoi mjaft mirë këtë mundësi jetësore dhe i është përkushtuar tërësisht futbollit.

32-vjeçari nuk gaboi. Ai së bashku me futbollistët tjerë shqiptarë, por edhe të nacionaliteteve tjera e ka ndihmuar Përfaqësuesen e Zvicrës të kualifikohet në Kampionate Evropiane dhe Botërore në dekadën e fundit.

Madje për Behramin ky do të jetë Botërori i katërt në të cilin do të marrë pjesë, pas atyre “Gjermania 2006”, “Afrika e Jugut 2010” dhe “Brazili 2014”.

Futbollisti i Udineses thotë se gjithmonë është nder dhe krenari ta përfaqësojë Zvicrën në një eveniment aq të rëndësishëm të futbollit siç është Kampionati Botëror, një ëndërr e secilit fëmijë.

Ai e ka kujtuar fëmijërinë kur e ëndërronte një ditë si kjo.

“Ne jemi djem që mundohemi ta bëjmë krenar një shtet të tërë. Janë të njëjtit djelmosha që e kanë kompletuar një arritje fantastike, duke e kurorëzuar me kualifikimin në Botëror. Edhe një herë ia dhamë një popullit të tërë mundësinë që të kalojë net speciale si ato të Botërorit”, ka shkruar Behrami në letrën e hapur.

“Të kualifikohesh në Botëror do të thotë realizim i një ëndrre fëmijërore. Në vitin 1994 shkoja me biçikletë tek një ekran i madh që ishte vendosur në shesh me plot njerëz duke shikuar futboll dhe nuk mund ta heqja shikimin kah ekrani dhe në ato momente ëndërroja, siç bën çdo fëmijë”, vazhdoi ai.

Ai i ka përmendur edhe dobitë e Botërorit, i cili i bashkon njerëzit dhe popujt, por edhe i bënë ta shikojnë këtë sport edhe ata që nuk e pëlqejnë futbollin.

Kjo për faktin se futbolli është bërë ambasadori më i mirë i çdo shteti.

“Një Botëror do të thotë riafrim i familjeve dhe miqve për një natë më ndryshe, duke e bërë bashkë popullin tonë zviceran, i cili për një gol ose një fitore rikthehet në kohërat e vjetra, kur përqafoheshim vërtet e jo duke e postuar një figurë në rrjetet sociale. Botërori gjen vend dhe zgjerohet edhe tek ata që nuk e duan futbollin, por që ta jep dëshirën për ta marrë flamurin, për ta vendosur në krahë dhe për të shkuar dhe shijuar një moment bashkimi”, ka përfunduar Behrami.

Ai nuk mundi ta ndihmonte në fushën e blertë Zvicrën në ndeshjet e barazhit me Irlandën e Veriut, por ishte në bankinë gjithsesi, edhe pse nuk ishte shëruar ende nga lëndimi.

Udinese, skuadra e tij, e kishte këshilluar të kthehej në Itali për t’u rikuperuar më mirë dhe për të stërvitur me skuadrën, por ai e dëgjoi zemrën dhe u dha kurajë e mbështetje shokëve që po luanin. /Zëri/