Abrashi e takon FC Prishtinën në rrugë! (Foto&Video)

Sport November 15, 2017 - 14:48

Në vazhdën e fushatës për zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen të dielën, kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, të mërkurën e ka vizituar klubin më me nam në futbollin kosovar, FC Prishtinën, raporton "Zëri".

Abrashi i gjeti në rrugë bardhekaltrit të cilët e prisnin në takim, pasi stadiumi i kryeqytetit është në proces të rinovimit, ndërsa FC Prishtina me të gjitha ekipet zinxhirore qe një kohë shumë të gjatë ka bredh rrugëve duke kërkuar fusha për të luajtur e për të stërvitur nëpër Obiliq, Podujevë, Drenas apo Lipjan, pasi ata nuk e kanë një të tillë në Prishtinë.

Këto halle Abrashi i dëgjoi edhe nga vet lojtarët, trajnerët dhe drejtuesit e klubit. Ish ministri tha se i di të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet FC Prishtina dhe futbolli e sporti prishtinas, shkruan "Zëri".

Image

Andaj u garantoj prishtinasve se do t’i nxjerr nga kriza thuajse menjëherë pasi ta fitojë mandatin e kryetarit të Prishtinës, natyrisht nëse qytetarët ia besojnë votën më shumë sesa kundërkandidatit dhe kryetarit aktual, Shpend Ahmeti.

“Jam këtu që ta tregojë përkrahjen time për sportin në Prishtinë. Në katër vitet e fundit sporti është degraduar në Prishtinë. Jemi dëshmitarë se klubet prishtinase ushtrojnë jashtë Prishtinës, kurse zhveshtoret i kanë në një lokacion tjetër jashtë Prishtinës dhe lojtë i luajnë jashtë Prishtinës”, tha Abrashi.

“E jona është të tregojmë se të gjitha klubet dhe sportistët e Prishtinës do të kenë përkrahje të Komunës, edhe përkrahje financiare edhe infrastrukturore”, ka deklaruar ai. Abrashi tha se infasrtruktura futbollistike, Pallati Sporteve, Pishina Olimpike do të jenë prioritet e tij. Ai shtoi se e ka projektuar zhvillimin e sportit prishtinas, duke nisur nga përkrahja e klubeve profesionale dhe sportistëve profesionistë, mbështetjen dhe funksionalizimin e ligave shkollore për të nxjerr talentë, me ndërtimin e fushave sportive dhe duke e subvencionuar kënaqshëm sportin.

Image

Ndërkohë, në emër të futbollistëve, trajnerëve dhe bordit të FC Prishtinës, presidenti i saj, Remzi Ejupi, e ka falënderuar Abrashin për vizitën dhe mbështetjen e premtuar në rast fitoreje të tij.

Image

“Është momenti i fundit që t’i dilet në ndihmë klubit të Prishtinës, më të madh të Kosovës. Është për keqardhje se si është injoruar klubi ynë. Mendoj që klubi e meriton ta ketë një vëmendja shumë më të madhe në të ardhmen. Klubi është ky që është, bardh e kaltër, dhe nuk mund t’ia ndërrojmë ngjyrat. Është klub i kryeqytetit dhe krejt Kosovës dhe s’ka nevojë për politizim të sportit por duhet mbështetur sinqerisht sporti”, ka theksuar Ejupi. /Zëri/  Image