Mamma mia!

Sport November 15, 2017 - 11:58
Kampionati Botëror nuk do ta ketë hijeshinë e tij të zakonshme. “Rusia 2018” ka mbetur pa superfuqinë e futbollit - Italinë, e cila nuk arriti të kualifikohet. Italianët janë në zi pasi kjo nuk u kishte ndodhur qe gjashtë dekada. Pas kësaj tronditjeje janë të vendosur të ngrihen më të fortë se kurrë

Italia është në zi. Kombëtarja italiane nuk ka arritur të kualifikohet në Kampionatin Botëror, që do të mbahet vitin tjetër në Rusi, pasi u mposht nga Suedia në ndeshjet e barazhit me rezultat të përgjithshëm 1:0.

“Azzurri” e humbën lojën e parë në Suedi dhe pritej që ta bënin përmbysjen e madhe në shtëpi të hënën mbrëma, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo, jogjithçka shkoi sipas parashikimeve dhe ndeshja u mbyll baras, 0:0, që nënkupton se italianët do ta shikojnë Botërorin përmes televizorit ose nga tribunat e stadiumeve ruse.

Nga ana tjetër, suedezët kanë festuar gjatë tërë natës për kualifikimin special dhe ishin në “ekstazë” pas ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “San Siro” në Milano. 

Katër herë kampioni i botës dështoi të kualifikohet në Botëror për herë të parë pas gjashtë dekadash. Në fakt, “Azzurri” nuk kishin marrë pjesë në Botërorin e vitit 1958 dhe që nga ajo kohë ata janë rregullisht pjesë e këtij evenimenti.

Nga ana tjetër, Suedia avancoi në Botëror për herë të parë që nga viti 2006.

Pavarësisht faktit se e posedoi topin në ¾ e lojës, Italia nuk arriti të shënonte dhe në fund lojtarët dolën me kokën ulur.

“Është një moment i zi për lojën tonë”, ka thënë mesfushori Daniele de Rossi.

“Fatkeqësisht, do të nevojitet shumë kohë për t’i analizuar gjërat. E vetmja gjë që mund ta them është se ne i shfaqëm disa ide, por jo mjaftueshëm në aspektin taktik”, ka shtuar De Rossi, i cili pas kësaj ndeshjeje u përshëndet nga kombëtarja italiane.

Lojtarët suedezë vrapuan për të festuar me tifozët udhëtues, ndërsa italianët ishin të tronditur. Ata qanin nga zhgënjimi, ndërsa suedezët nga gëzimi.

“Ne të gjithë duhet ta shikojmë njëri-tjetrin dhe ta gjejmë rrugën për t’u rikthyer. Duhet të kthehemi në nivelin ku e meritojmë të jemi”, është shprehur qendërmbrojtësi Giorgio Chiellini.

Italia mori pjesë në 14 botërore rresht, që nga viti 1958, ndërsa nuk kishin marrë pjesë as në botërorin e parë, në vitin 1930. Ata po ashtu nuk kishin marrë pjesë në Evropianin 1984 dhe në atë 1992.

Italianët janë ankuar në gjyqtarin Antonio Mateu Lahoz, pasi konsiderojnë se u janë mohuar dy penallti, në prekjet me dorë në gjuajtjet e Matteo Darmianit dhe më pas Andrea Barzaglit. Gjithashtu kanë kërkuar penallti edhe kur Marco Parolo u ndal nga Ludwig Augsustinsson.

Ventura: U kërkoj falje italianëve

Trajneri italian, Gian Piero Ventura, është fajësuar më së shumti për dështimin e Italisë. Ai e ka marrë përgjegjësinë për këtë dështim, pas të cilit pritet të largohet nga kjo pozitë.

“Më vjen keq dhe dua t’u kërkoj falje italianëve për këtë rezultat. Jo për angazhimin e dëshirën dhe gjithçka tjetër, por për rezultatin”, ka thënë Ventura.

Pasi e kishte fituar “Botërorin 2006”  Italia e kishte kaluar edhe fazën e grupeve në dy edicionet pasuese.

Diçka më mirë për ta kishte shkuar në dy evropianët e fundit, duke shkuar deri në finale më 2012-n dhe në çerekfinale më 2008-n e 2016-n.

Për një kohë të gjatë Italia ka dështuar të gjejë pasardhës të Andrea Pirlos dhe të Francesco Tottit, i cili ishte larguar nga kombëtarja në vitin 2006.

Mario Balotelli ishte yll i “Euro 2012”-s, por pati rënie në karrierë dhe viteve të fundit nuk u ftua. Kurse Gianluigi Buffon u largua me lot në sy pasi kjo ishte ndeshja e tij e fundit me “Azzurri”, për të cilët mbrojti plot 20 vjet. /Zëri/