Samir Ujkani, kapiteni i rrallë që fishkëllehet

Sport November 15, 2017 - 11:48

Mbrëmja e së hënës ishte shumë e keqe për Samir Ujkanin, shkruan sot gazeta Zëri.

Zakonisht kapitenët marrin duartrokitje të tifozëve edhe kur kanë krizë të formës.

Por e kundërta i ndodhi kapitenit të Kosovës në miqësoren e fituar në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, me rezultat 4:3 ndaj Letonisë.

Ujkani pati paraqitje të dobët, gjë që nuk e kishin të vështirë ta konstatonin edhe shikuesit e rëndomtë, të cilët shpeshherë e kanë kritikuar portierin vushtrrias edhe gjatë kualifikimeve të botërorit “Rusia 2018”, në të cilat ekipi ynë përfaqësues ka dëshpëruar me rezultate.

Por, tifozëve “Dardanë” u humbi durimi për shkak se kryesisht sherri i gabimeve të Ujkanit letonët udhëhiqnin me rezultat në pjesën më të madhe të miqësores, në fund të së cilës Kosova i shënoi dy gola të shpejtë dhe në mënyrë dramatike e fitoi lojën nga disavantazhi prej 2:3 në 4:3.

Ujkani ka hyrë në lojë ndaj Letonisë pa e zhvilluar asnjë stërvitje me Kosovën.

Ai të dielën kishte ndeshje kampionale me ekipin e tij në Serie B të Italisë. Ndërsa, në Kosovë ka mbërritur në orën një të mëngjesit të së hënës.

Natyrisht, është për t’u vlerësuar kjo sakrificë e tij për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së mëmëdheut, gjë që sikur nuk u interesoi tifozëve, të cilët filluan ta fishkëllejnë shumë kapitenin pas golit të tretë të pësuar.

Madje e kërkuan edhe largimin e tij nga loja, me ç’rast trajneri Muharrem Sahiti e nxori prej fushës në minutën e 68-të, duke e zëvendësuar me Bledar Hajdinin.

Portieri që aktivizohet në Kosovë u prit me duartrokitje, kurse Ujkani vazhdoi të përcillet jashtë fushës me fishkëllima të mëdha.

Por, ajo që vlen të theksohet është profesionalizimi që shfaqi Ujkani. Ai me qetësi kontrolloi nervat, presionin dhe gjithë situatën duke e lëshuar fushën pa iu kundërvu tifozëve apo pa e bërë ndonjë gjest të pahijshëm.

Pas ndeshjes trajneri Sahiti tha se Ujkani nuk ishte fajtor i vetëm i golave të pësuar, por në to kishin gisht edhe futbollistët tjerë.

Ndërsa Ujkani u shfaq mirëkuptues për reagimin e tifozëve.

“Unë kam arritur në Kosovë në orën një të mëngjesit dhe jam ndier i gatshëm për lojë. Te goli i dytë i pësuar rrëshqita, kurse te goli i tretë e dinë më së miri ata që e njohin futbollin. Sidoqoftë, u kërkoj falje që nuk kam mundur të paraqitem më mirë”, ka thënë Ujkani, i cili pas ndeshjes edhe u përkrah nga tifozët, ndoshta për shkak të fitores që i kënaqi dhe i qetësoi.

“Nuk është hera e parë që fishkëllehem. Fishkëllima ka pasur edhe në ndeshje të kaluara, si ndaj Kroacisë. Kjo është diçka e zakonshme për portierë sepse te pësimi i golave gishti gjithmonë drejtohet kah portierët. Por, në fund tifozët edhe e thërrisnin emrin tim”, ka potencuar ish-reprezentuesi i Shqipërisë, i cili i numëron 15 ndeshje me Kosovën. /Zëri/