Kosova U-21, për fitore në Azerbajxhan
Foto: Driton Bublaku

Kosova U-21, për fitore në Azerbajxhan

Sport nëntor 14, 2017 - 12:22

Përfaqësuesja e Kosovës U-21 do ta zhvillojë sonte ndeshjen e radhës në kualifikimet e Evropianit 2019, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit e rinj do të mundohen ta harrojnë sa më shpejt humbjen në shtëpi nga Izraeli dhe do ta kërkojnë sonte fitoren në Azerbajxhan.

Edhe pse me disa mungesa, duke përfshirë këtu edhe yllin Bersant Celina, trajneri Rafet Prekazi beson në lojtarët që i ka në dispozicion dhe do të mundohet që ta shijojë fitoren e tretë në këto eliminatore, edhe pse ëndrra për një kualifikim eventual në evenimentin që do të mbahet në Itali u shua përfundimisht pas humbjes nga izraelitët.

Para nisjes për në Baku futbollistët e Përfaqësueses U-21, por edhe vetë trajneri Prekazi, janë shprehur optimistë për ndeshjen e sontme, pasi ata duan të grumbullojnë sa më shumë pikë që është e mundshme deri në fund të kësaj kampanje kualifikuese.

Momentalisht, Kosova është e katërta në Grupin 5 me 6 pikë të grumbulluara, kurse kundërshtari i sontëm i saj nuk e ka asnjë pikë.

Ndeshja ndërmjet Azerbajxhanit dhe Kosovës do të fillojë në orën 15:00. /Zëri/