Futbolli prishtinas në mjerim (Foto&Video)

Sport November 13, 2017 - 22:31

Prishtina i kishte punët shumë më mirë në vitet e 50-ta sesa tani kur po vjen viti 2018. Qysh në atë kohë, pranë stadiumit të kryeqytetit ekzistonte një fushë ndihmëse e futbollit, në të cilin vend sot ka parking veturash. Sot edhe komunat e vogla të Kosovës kanë fusha me bar sintetik, të cilat shfrytëzohen edhe prej ekipeve të ligave inferiore. Kurse, klubi me historinë më të lavdishme gjendet në mjerim infrastrukturor. Futbollistët e ekipeve zingjirore prishtinase kanë mbetur pa shpresë. Ata po bëhen gati për sfidën e dhimbshme vjeshtore – përballjen me lloçin e një fushe në Obiliq

Gjendja infrastrukturore e futbollit në Komunën e Prishtinës ka qenë kaherë katastrofale, por ajo tashmë është bërë edhe më alarmante.

FC Prishtina është klubi më i madh dhe më i suksesshëm në Kosovë, por sa i përket infrastrukturës sportive, klubi me historinë më të lavdishme ka ngelur prapa edhe prej klubeve më të vogla apo më inferiore që ka futbolli kosovar, shkruan "Zëri".

Deri para një viti Bardhekaltrit e vajtonin mungesën e një fushe stërvitore, kurse tash e një kohë të gjatë ata kanë mbetur krejtësisht në rrugë, pasi stadiumi i kryeqytetit është duke u rinovuar në një proces të stërzhagitur.

Kjo situatë po ia vështirëson jetën klubit me të cilin janë të lidhur emocionalisht të gjithë prishtinasit. Ndërsa, tani stina e vjeshtës veç ka nisë t’ia “nxijë jetën” klubit zemëror të “Plisave”, kah i cili nuk e kthen kokën Qeveria, e çka është akoma më e çuditshme as Komuna e Prishtinës.

Image
Image

Siç dihet, në të gjitha regjionet e Kosovës qysh moti janë ndërtuar fusha të futbollit me bar sintetik. Fusha të tilla tashmë janë bërë edhe nëpër shumë komuna më të vogla, të cilat shfrytëzohen prej klubeve që garojnë edhe në ligat më inferiore të Kosovës.

Image

Ato fusha me bar sintetik u përballojnë reshjeve të shiut që i sjell stina e vjeshtës dhe kjo i lë më të qeta klubet që disponojnë me to.

Por, kësi fati nuk ka pasur asnjëherë FC Prishtina, të cilës vetëm emri i ka mbetur “Prishtinë”, pasi qe një kohë shumë të gjatë, me të gjitha ekipet zinxhirore, bredhë rrugëve të Kosovës si në Obiliq, Podujevë, Drenas, etj., në kërkim të fushave për të ushtruar e për të luajtur, raporton "Zëri.info".Image

Kjo pasi as Qeveria e as Komuna nuk kanë qenë në gjendje t’i dalin në ndihmë FC Prishtinës, e cila përpos që e përfaqëson kryeqytetin e Kosovës, që është pasqyrë e Republikës, FC Prishtina edhe jashtë vendit njihet si klubi më i madh dhe më përfaqësues i Kosovës. 

Duke e parë injorimin e institucioneve, FC Prishtina e kishte gjetur një investitor të madh gjerman. Helmut Hack e kishte kërkuar vetëm një parcelë të tokës nga Shpend Ahmeti për t’i investuar miliona euro në të mirë të FC Prishtinës. Fillimisht kryetari i Prishtinës e kishte mirëpritur dhe i kishte dhënë premtim pozitiv gjermanit, të cilin nuk e kishte takuar fare kur kishte ardhur në vizitën e dytë në kryeqytet.

Kjo kishte bërë që FC Prishtina të mbetet pa shpresë. Bardhekaltrit sot shihen për gjynah. Të rinjtë e saj sportistë po bëhen gati për sfidën e zakonshme – të ballafaqohen me lloçin që e shkakton shiu i vjeshtës në një fushë të Obiliqit, e cila është bërë thuajse adresa kryesore e FC Prishtinës.

Image

Karshi krejt kësaj situate, Shpend Ahmeti po e kërkon edhe një mandat tjetër katërvjeçar në krye të Komunës. Bashkëpunëtorët e tij thonë se përmirësimi i infrastrukturës sportive në Prishtinë do të jetë njëri prej prioriteteve kryesore të Ahmetit në katër vitet e ardhshme, për çka kryetari aktual është kritikuar shpeshherë gjatë  mandatit që po e lë pas, e të cilën pikë po e prek bukur shpesh kundërkandidati i tij, Arban Abrashi. /Zëri/

Image
Image
Image