Kosova, fitore për tifozët

Sport November 13, 2017 - 12:58
Përfaqësuesja e Kosovës është e motivuar më shumë se kurrë që ta shijojë fitoren pas një kohe të gjatë. Verdhekaltrit kanë ushtruar me vullnet këto ditë në Drenas dhe duan t’i gëzojnë tifozët sonte në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës, në të cilin kthehen të luajnë pas dy vjetësh. Trajneri Muharrem Sahiti dhe futbollistët thonë se ka ardhur koha për fitore në duel me Letoninë

Përfaqësuesja e Kosovës do t’i japë fund sonte “agjërimit” prej më shumë se një viti duke e zhvilluar ndeshjen miqësore ndaj Letonisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, Verdhekaltrit i kanë zhvilluar 10 ndeshje në eliminatoret e “Botërorit 2018”, por u kanë munguar miqësoret nga qershori i vitit të kaluar.

Megjithatë, Valon Berisha me shokë do ta zhvillojnë një të tillë sonte në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në të cilin kthehen pas gati dy vjetësh.

Trajneri Muharrem Sahiti, i cili do ta drejtojë ekipin vetëm në këtë ndeshje derisa të gjendet përzgjedhësi i ri, thotë se djelmoshat janë të motivuar për ta shijuar fitoren pas një kohe të gjatë.

Sipas tij, gjatë grumbullimit ka shkuar gjithçka mirë dhe është gjithçka gati për spektaklin që pritet të zhvillohet sonte buzë lumit Ibër.

Ekipi dëshiron t’ua dhurojë një fitore tifozëve “Dardanët”, të cilët nuk e lanë skuadrën asnjëherë vetëm, kudo që ka luajtur.

“Kemi një atmosferë jashtëzakonisht të mirë për punë. Grupi po funksionon mirë dhe në harmoni. Provuam lojë kryesisht sulmuese dhe presing të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, në mënyrë që t’u kundërvihemi me sukses letonëve. Duam të fitojmë për tifozët si shpërblim për gjithçka që kanë bërë për ne, duke na mbështetur kudo që kemi luajtur”, ka thënë Sahiti.

Ekipi ka ushtruar këto ditë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndërsa është përcjellë edhe nga disa shikues.

Ka ardhur koha të fitojmë

Futbollistët janë të përkushtuar që të mundohen ta fitojnë duelin me letonët. Ata kanë premtuar angazhim maksimal sonte, në mënyrë që në fund të gjithë të festojnë së bashku.

“Ka arritur momenti të shënojmë fitore dhe për këtë po punojmë me përkushtim. Si grup po angazhohemi që sa më mirë ta krijojmë lojën tonë dhe të arrijmë sukses”, ka thënë sulmuesi Vedat Muriqi.

“Jam në formë të mirë dhe besoj se do ta jap maksimumin në këtë ndeshje. Jemi të përkushtuar dhe atmosfera që kemi brenda grupit na bën që të besojmë në fitore, aq më parë që kemi rastin këtë ta bëjmë para adhuruesve tanë”, ka shtuar mesfushori ofanziv, Bernard Berisha.

Bledar Hajdini nuk e ka pasur rastin të mbrojë për Kosovën ende, edhe pse është ftuar disa herë.

Megjithatë, portieri i Trepçës ’89 insiston se është i gatshëm për çdo rast, kurdo që i jepet rasti.

“Po punojmë këto ditë mjaft mirë dhe nëse me jepet rasti të jem në portë e ndiej veten plotësisht të përgatitur që ta jap kontributin tim për të arritur sukses në këtë ndeshje”, u shpreh njëri prej portierëve më të mirë në Kosovë.

Duhet cekur se trajneri Muharrem Sahiti i ka ftuar tre futbollistë për herë të parë në duel me letonët: portierin e Feronikelit Faton Malokun, mbrojtësin e Gjilanit Armend Thaqin dhe mesfushorin e Skënderbeut Suad Sahitin.

Kosova i kishte zhvilluar ndeshjet kualifikuese të Botërorit të Rusisë në Shkodër, pasi stadiumet ekzistuese në vend nuk i plotësonin kriteret dhe Verdhekaltrit kthehen të luajnë në Kosovë pas një kohe të gjatë.

Madje, për disa futbollistë si Valon Berisha etj, kjo do të jetë hera e parë që do të luajnë në atdhe.

Ndërkohë, tifozët “Dardanët” e kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe në këtë ndeshje, ku premtojnë se do të dhurojnë spektakël në Mitrovicë.

Ata ishin të pranishëm edhe të enjten në ndeshjen e Kosovës U-21 ndaj Izraelit U-21, e vlefshme për eliminatoret e “Evropianit 2019”.

Ndeshje miqësore

E hënë

19:30 Kosova – Letonia