Shqipëria, maksimumin ndaj turqve

Sport November 13, 2017 - 12:55

Kombëtarja shqiptare do ta zhvillojë sonte miqësoren e radhës me Turqinë, shkruan sot gazeta Zëri.

Kuqezinjtë janë të motivuar maksimalisht për këtë ndeshje, pavarësisht faktit se bëhet fjalë vetëm për një ndeshje miqësore, e cila do të zhvillohet në Turqi.

Mbrojtësi i Kuqezinjve, Frederik Veseli, ka dalë të dielën në një konferencë për shtyp ku ka folur për miqësoren e sontme, e cila fillon në orën 18:30.

“Është ndeshje shumë e rëndësishme. Kemi pasur një javë të plotë për t’u përgatitur dhe nuk besoj se ekzistojnë ndeshjet miqësore. Duhet ta japim maksimumin për të bërë sa më mirë. Normal që kundërshtari është i fortë dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë mbrojtësi kosovar.

Sipas tij, ky grumbullim ia ka mundësuar ekipit të njihet më mirë me trajnerin e ri, Christian Panucci.

Ndërkohë, mesfushori Sabien Lilaj thotë se si në çdo ndeshje, edhe ndaj turqve, Kuqezinjtë do ta kërkojnë maksimumin e pikëve.

“Në çdo ndeshje duhet të futemi për të marrë maksimumin e pikëve pavarësisht se si përfundon ndeshja. Kemi përballë një kundërshtar të fortë, por nuk do të futemi për barazim. Do ta japim më të mirën tonë dhe pse të mos dalim me fitore. Pozicioni im është para mbrojtjes, aty ndihem mirë, i njëjti rol që po luaj edhe te Skënderbeu. Edhe trajneri te ai rol më ka provuar, ndaj ndihem mirë”, theksoi ai.

Lucescu: Kundër Shqipërisë do të luajnë të rinjtë

Trajneri i Turqisë, Mircea Lucescu, ka konfirmuar mungesat dhe ka thënë se do t’u japë hapësirë lojtarëve të rinj.

“Tolgay Arslan dhe Gokhan Gonul janë të lënduar dhe nuk do të luajnë kundër Shqipërisë”, tha Lucescu. “Do t’i jap mundësi lojtarëve të rinj në këtë takim. Aty do të duhet ta kërkojmë kombëtaren e re”, ka shtuar trajneri rumun.

Ndeshja në mes Turqisë dhe Shqipërisë zhvillohet në Antalya sonte duke filluar nga ora 18:30. /Zëri/

Ndeshje miqësore

E hënë

18:30 Turqia – Shqipëria