Ditë më parë u zyrtarizua meçi Joshua-Wilder, tani vjen një lajm i papritur

Sport November 12, 2017 - 15:18

I ngarkuar nga Anthony Joshua për të kryer bisedimet me Deontay Wilder për një përballje të mundshme në ring vitin e ardhshëm, menaxheri Eddie Hearn ka deklaruar sot se vështirë se do të shohim së shpejti një përballje mes dy boksierëve kampionë bote në peshat e rënda, shkruan “Telesport”. 

Madje Hearn ka deklaruar se rivali i ardhshëm i Joshua mund të jetë një tjetër kampion bote i kësaj kategorie, neo-zelandezi Joseph Parker.

Boksieri britanik deklaroi pak ditë më parë se menaxheri i tij i ka propozuar të dy boksierëve të njëjtën ofertë, por pas deklaratave të Wilder se kërkon ndarjen e fitmit nga një përballje me Joshua 50-50, gjasat janë që kjo sfidë të mos zhvillohet kaq shpejt.

Dhe ai që “përfiton” është Parker, i gatshëm për negociata dhe të duelojë në Britaninë e Madhe.“Jemi vetëm në negociata, por Wilder nuk mund të ketë shumë pretendime, pasi nuk është përballur kurrë me boksierë të njohur”.

“Një përballje me Dillian White mund ta ngresë disi vlerën e tij, pasi të gjithë presin të shohin një rival me peshë përballë Wilder në ring”.

“Nuk mund të kërkosh kaq kollaj një sfidë ndaj një kampioni si Joshua pa u përballur më parë me rivalë të tjerë”, tha Eddie Hearn, që më tej shtoi:

“Nuk besoj se Wilder dhe Joshua do të përballen në muajt e parë të 2018-ës. Për Joshua, rivali i radhës mund të jetë Parker, duke synuar të marrë një tjetër titull kampion që e mban neo-zelandezi. Më pas mund të jetë radha e Wilder”.

Pra, duket se duelet e radhës së peshave të rënda për vitin 2018 do të jenë Joshua-Parker dhe Wilder-White, si dy gjysmëfinale, në pritje të unifikimit të titujve në një kampion të vetëm.