Serbët hyjnë si në 'bahçe të babës'

Sport November 03, 2017 - 11:29

Serbët vazhdojnë të zhvillojnë aktivitete ilegale në Kosovë përmes sportit. Mokra Gora dhe Crvena Zvezda zhvilluan ndeshje kampionale serbe në Zubin Potok të Kosovës si në “bahçe të babës” pa u penguar nga askush. Madje bashkë me ekipin nga Beogradi në Zubin Potok kishin ardhur edhe tifozë nga Serbia. Federata e Hendbollit e Kosovës nuk po ka çfarë të bëjë tjetër veçse t’i informojë organizatat ndërkombëtare të hendbollit për ndërhyrjet ilegale të Serbisë në Kosovë. Por, kërkon ndihmë edhe nga institucionet e Kosovës për t’i ndalur hyrjet e tilla të serbëve në territorin tonë, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Klubet serbe vazhdojnë të zhvillojnë aktivitete sportive në territorin e Kosovës pa iu trembur syri fare. Në futboll dihet botërisht se disa skuadra serbe veprojnë në Kosovë, por garat i mbajnë në kuadër të ligave rajonale të Serbisë. Mirëpo as në sportet tjera serbët nuk ia lënë mangut.

Rasti i fundit është ai i ndeshjes së Superligës së Serbisë në hendboll, e cila u zhvillua të mërkurën në Zubin Potok, ku u takuan ekipi vendës Mokra Gora dhe Crvena Zvezda.

Madje në uebfaqen zyrtare të kësaj të fundit shkruan se këtë ndeshje e përcollën 1.300 shikues, prej tyre 150 tifozë të Zvezdës, që kishin udhëtuar nga Beogradi për të bërë tifo për ekipin e zemrës në Kosovë si në “bahçe të babës”.

“Foto e bukur e hendbollit serb nga Kosova. Sala në Zubin Potok ishte shumë e vogël për të qenë të pranishëm të gjithë të interesuarit për ndeshjen Mokra Gora – Crvena Zvezda. Mbi 1.300 spektatorë, prej tyre 150 të ekipit Bardhekuq, e mbushën sallën një orë para fillimit të ndeshjes dhe Zvezda e shënoi fitoren e pestë në Superligë”, shkruan në uebfaqen e klubit serb, i cili e fitoi këtë ndeshje me rezultat 29:26.

FHK: Ndeshje ilegale, do të ankohemi në EHF

Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Mokra Gora për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, të cilën Shtëpia e Hendbollit kosovar e konsideron si ilegale, shkruan "Zëri".

Madje FHK-ja nuk do ta lërë me kaq, pasi drejtuesit e saj paralajmërojnë se do të ankohen në Federatën Evropiane të Hendbollit (FHK), njëjtë siç kanë vepruar edhe në të kaluarën.

“Normalisht, kjo ndeshje ka qenë ilegale. Ne deri tash sa herë kemi pasur informata për zhvillimin e ndeshjeve të tilla i kemi ndalur ato, nuk i kemi lënë të zhvillohen, sepse e kemi përkrahjen e EHF-it. Ne do ta informojmë EHF-in me shkrim për këtë situatë, por edhe në takimin e radhës që e kemi më 10 nëntor. Sepse, sipas Nenit 13 të Statutit të EHF-it, vetëm FHK-ja ka të drejtë organizimin e ndeshjeve të hendbollit në territorin e Kosovës”, thotë për “Zërin” sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci.

Ai përmend disa raste kur FHK-ja me sukses e ka penguar zhvillimin e aktiviteteve të hendbollit nga ana e Federatës Serbe të Hendbollit në territorin e Kosovës.

“Të jua rikujtojmë se vitin e kaluar kemi ndalur aktivitete të ngjashme të zhvillohen në Shtërpcë, sikur edhe para katër vjetëve finalen e Kupës së Serbisë”, shton ai.

Nevojitet intervenimi i shtetit

Serbët po hyjnë dhe po dalin kur po duan në Kosovë dhe ata nuk po i pengon askush. Në këtë rast as klubi serb e as tifozët nuk janë penguar ta zhvillojnë këtë ndeshje hendbolli dhe në FHK thonë se nuk kanë fuqi të vetëm t’i ndalin këto ndeshje ilegale, duke kërkuar nga shteti t’u japë krahë.

“Ne si Federatë nuk kemi mekanizma të sigurisë, por i ka shteti i Kosovës”, ka përfunduar Gjinovci.

Serbët kanë zhvilluar kohë pas kohe aktivitete sportive ilegale në Kosovë, mbi të gjitha në futboll, edhe pse kohëve të fundit në këtë sport po marrin paraprakisht leje për zhvillimin e ndeshjeve.

Megjithatë serbët kanë ditur t’i keqpërdorin këto aktivitete sportive dhe t’i shfrytëzojnë ato për të bërë thirrje nacionaliste dhe fyerje ndaj shqiptarëve të Kosovës./Zëri