Drenica sfidon kampionen

Sport November 03, 2017 - 10:42

Sikurse të gjitha javët e shkuara, edhe xhiroja e 14-të e Superligës së Kosovës në futboll do t’i sjellë disa ndeshje tejet interesante. Kjo xhiro do të nisë të premten në Skenderaj me një ndeshje që pritet të jetë shumë interesante ndërmjet Drenicës dhe Trepçës ’89. Në fakt kampionen e Kosovës e pret një sfidë e vështirë në stadiumin “Bajram Aliu” jo vetëm për faktin se do të luajë si mysafire, por edhe për shkak se kundërshtarja e saj pritet të bëjë luftë shumë të madhe në kërkim të një fitoreje, e cila i nevojitet shumë për t’i dhënë shpresa dhe optimizëm. Drenica nuk ka fituar qe katër javë, gjatë së cilave i ka regjistruar dy barazime dhe dy humbje. Andaj “Shqiponjat e Zeza” do të mundohen ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit për ta shënuar fitoren e pestë në këtë kampionat, e cila sadopak do t’i ngushëllonte për gjashtë humbjet e deritanishme. Në anën tjetër, për ’89-shin objektiv i arsyeshëm është fitorja, e cila do t’i ndihmonte që ta kthejë sigurinë në garën e mëtutjeshme kampionale, që po i mungon kampiones në fuqi, ku ka mbetur pesë pikë larg liderit Llapit, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Ndeshja kryesore e kësaj jave do të zhvillohet të shtunën në Prizren ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Lirisë dhe Prishtinës, të cilat sivjet janë rivale edhe në luftë për titull. Kjo ndeshje nën vete përmban edhe përballjen ndërmjet dy trajnerëve nga Shqipëria, Blendi Shkëmbit të Lirisë dhe Mirel Josës të Prishtinës, i cili para pak vitesh e kishte Shkëmbin lojtar të tij në Skënderbe. Bardhekaltrit deri më tani janë treguar më të suksesshëm sesa bardhezinjtë. Prishtinasit janë në vendin e dytë në tabelë me vetëm një pikë më pak sesa kryesuesi dhe kanë gjashtë pikë më tepër sesa ekipi prizrenas.

Po të shtunën Drita udhëton në Prishtinë me bindjen se do t’i fitojë tri pikë të reja përballë Flamurtarit, të cilit po i mungojnë rezultatet pozitive, gjë që do të kërkojë ta bëjë nga përballja me gjilanasit. Derbi i dytë i javës do të zhvillohet të dielën ndërmjet Gjilanit dhe Llapit, kandidatëve për titull, që aktualisht vlerësohen si më të fortit në vend./Zëri

Superliga – Xhiroja e 14-të

E premte

Drenica – Trepça ’89

E shtunë

Liria – Prishtina

Flamurtari – Drita

Vllaznia – Vëllaznimi

E diel

Gjilani – Llapi

Besa – Feronikeli

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00