Daja: Nuk mund të fitohet në një stadium me kaq shumë policë

Sport November 02, 2017 - 21:19

Në intervistën pas ndeshjes me Partizanin e Beogradit, trajneri Ilir Daja u shpreh se kundërshtari fitoi prej episodeve, dhe ndoshta skuadra e tij mund të merrte diçka më shumë.

Gjithsesi, ai u shpreh se fakti se kishte kaq shumë polici, nuk e bën një ambient të qetë për një ndeshje futbolli.

“Ishim sulmues, nuk reaguam pas pësimit të golit. Ishte një ndeshje që ishim të barabartë me kundërshtarin. Patëm rastet tona në goditjet standarte. Nuk duhet që të bënim këtë lloj paraqitje përsa i përket episodeve, jo përsa i përket lojës në tërësi. Pjesë e lojës janë edhe gabimet. U ndëshkuam nga një gabim i yni dhe një goditje standarte.”

Meritonte Skënderbeu diçka më shumë?

Ky është një konstatim i drejtë. Kundërshtari nuk na kërcënoi aq shumë. Por, ishte një ndeshje e fituar me episode. Deri në minutën e golit të parë, edhe Partizani nuk kishte raste tek porta jonë. Besoj se ndoshta nuk mund të fitonim, por të paktën mund të merrnim një barazim.

Rrezikon Skënderbeu me mbajtjen tej mase të topit?

Kur kemi mundësi të luajmë me pasin e gjatë, duhet ta shrytëzojmë këtë mundësi për të fituar territor. Po ta shikoni brenda ndeshjes, kemi kthyer disa herë topin rrezikshëm mbrapa. Nëse përballesh me ekipe të tilla në Europë, duhet t’ia lesh sa më pak topin kundërshtarit. Edhe tensioni bën të veten, dhe gabime ndodhin.

Pse nuk keni rrezikshmëri para portës kundërshtare?

Me atë vendosje që kemi zgjedhur në fushë, natyrshëm që pjesa më e madhe e lojës do ndërtohet me pasin diagonal. Po vuajmë nga mungesat, Gavazaj ishte në fushë i sapo kthyer nga dëmtimi, dhe nuk mund të jepte më shumë. Spostuam Xhejmsin në krah, dhe kjo prej mungesës së lojtarëve.

Trajneri ju tha faleminderit për mikpritjen në Elbasan. Po ju si e ndieni veten pas kësaj ndeshje?

Ndeshja nuk pati asnjë problem, por kur sheh kaq shumë polici, ky nuk është ambient i pranueshëm për një ndeshje futbolli. Gjithsesi, nuk patëm probleme të tjera.