Në Shqipëri – Serbi grushtonte serbët, sonte në të njëjtin stadium është në portë

Sport November 02, 2017 - 13:22

Portieri i Skënderbeut Orges Shehi u është rikthyer edhe njëherë emocioneve të përjetuara tre vite më parë në stadiumin e Beogradit, ku Kombëtarja shqiptare përjetoi momente tmerri, pas sulmit dhe dhunës që u ushtrua nga tifozët serb por jo vetëm në fushën e blertë në momentin që droni u rrëzua në fushën e lojës.

Në një intervistë për “Super Sport”, zhvilluar nga gazetari Dritan Shakohoxha,”gardiani” i Skënderbeut ka bërë një retrospektivë të ngjarjes së tre viteve më parë, duke rikujtuar të gjitha episodet e kësaj ngjarjeje.
“Sigurisht është një emocion i veçantë, duke ardhur rrugës për në stadium, sigurisht që në mëndje të vijnë kujtime jo të mira, por kjo është pjesë e historisë dhe nuk e shmangim dot. Kur shef që fushën e futbollit e zaptojnë tifozët dhe shikon që tifozët merren me shokët dhe miqtë e tu, sigurisht që ndjenja brenda vetes të thotë që duhet të shkosh te shokët, kështu ndodhi dhe ishte e papritur pasi nuk mendoja që ndeshja do merrte ato përmasa, por ja që ndodhi, shpresoj që jo unë, por asnjë tjetër të mos e provojë këtë gjë”.
“E kam thënë dhe herë të tjera, kurrë nuk jam zënë me grushta. U nisa për te Loriku sepse e kishin zaptuar tifozët, u nisa për te Loriku, por gjatë rrugës pashë që miku im i dhomës, Etrit Berisha po konfrontohej me tifozët, në atë moment jam kthyer nga Berisha. Mbas Berishës, shkova te Loriku pasi ndodhej në një situatë të vështirë”.

E ke ndjenjën e frikës se historia mund të përsëritet?

Jo, edhe pse stadiumi për përcjell ndjenjë negative, nuk mendoj se do përsëritet e njëjta histori. Ne kemi ardhur për të luajtur futboll. Nuk do përsëriten më këto situata. Jemi të përqendruar në fushën e blertë.

Çfarë përjetove kur pe flamurin?

Kur zbriti flamuri në fillim nuk e kuptuam se çfarë ishte, por pasi pamë që dhe kundërshtarët u irrituan, kuptuam se për çfarë bëhej fjalë. Situata më e vështirë, ishte kur u futëm në dhomat e zhveshjes. Aty kam menduar që gjithçka mori fund. Ai ishte momenti më i vështirë, mendova çdo gjë mbaroi dhe thashë, kaq ishte, por policia mori situatën nën kontroll.

Pse duhet të ketë kaq urrejtje në një ndeshje futbolli, ma shpjegon dot?

Nuk e kuptoj dhe nuk arrij ta shpjegoj dot. Futbolli i bashkon njerëzit dhe kjo nuk më duket aspak normale. Jemi në fushë për të argëtuar tifozët dhe për ti bashkuar ata, sepse futbolli është për tifozët. Shpresoj që kjo të jetë hera e fundit që ndodh diçka e tillë në një ndeshje futbolli.

I pyetur për momentin kur lojtarët u futën në tunel, Shehi shprehet: “Emocion i paparë, falë Zotit nuk ndodhi ajo që menduam”, është shprehur Shehi.