5 marka për një lojë
Para luftës sporti kosovar zhvillohej me plot sakrifica dhe vështirësi. Vetëm vullneti i madh i sportistëve dhe njerëzve të ndryshëm e mbante gjallë sportin në Kosovë. E referët ishin në pozitë edhe më të vështirë. Përpos rreziqeve nga policia serbe dhe nga rrahja në fushën e blertë, ata paguheshin “sa për adet”. Në futbollin e vogël një refer paguhej vetëm 5 marka, me të cilat nuk mund të blinte më shumë se një hamburger dhe një “Coca-Cola”
Sporti kosovar gjendet në krizë të thellë financiare. Mirëpo, para luftës, gjendja ishte edhe më alarmante.
Në atë kohë, vetëm vullneti i madh i sportistëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe donatorëve, e mbante gjallë sportin në Kosovë, i cili përballej me probleme të shumta, shkruan gazeta Zëri.
Paratë që qarkullonin në futboll ishin të pakta, shumë të pakta.
Në gjendjen më të vështirë ishin referët, të cilët, përpos frikës nga policia, e kishin frikën edhe në fushën e blertë, pasi jo rrallë sulmoheshin fizikisht nga futbollistët apo shikuesit.
E pagesa që e merrnin ata ishte mizerie, “sa për idare”.
Ramadush Mjaku ishte njëri nga referët e paraluftës që e përjetoi periudhën e tmerrshme. 54-vjeçari në atë kohë referonte në futbollin e vogël dhe tregon se pagesat për referë ishin më minimale se që mund të mendohet sot.
“Para luftës, kushtet e referëve ishin të tmerrshme. Nuk kishte siguri e as paga, kemi referuar vetëm nga vullneti i mirë, për ta mbajtur gjallë futbollin. Për shembull, për një ndeshje paguheshim vetëm 5 marka. Me to mund ta haje një hamburger dhe ta pije një ‘Coca-Cola’. Nuk na paguhej në atë kohë as rruga”, tregon Mjaku, i cili është nga Sllatina e Epërme e Vitisë.
“Megjithatë, ne nuk u dorëzuam asnjëherë dhe e përballuam edhe presionin dhe kërcënimet nga okupatori serb”, vazhdoi referi që është profesor i Kulturës Fizike që nga mosha 24 vjeçare, shkruan Zëri.
I kërkon paratë e paraluftës
Mjaku po mendon ta marrë iniciativën që t’i kërkojë në Federatën e Futbollit të Kosovës paratë e periudhës 9-vjeçare sa ka referuar para luftës.
Sipas tij, derisa lëmenjtë tjera po shpërblehen për ato që kanë bërë para luftës, kjo duhet të ndodhë edhe me referët.
“Unë kam referuar nga viti 1990 deri në vitin 1999 dhe tash kërkoj që të na shpaguhet apo shpërblehet ky kontribut që e kemi dhënë. Federata e Futbollit duhet të kërkojë nga Qeveria për ta ndarë një buxhet që të na shpërblejnë. Se sa para mund t’i marrim, le të vendos vet Qeveria. Pasi punëtorët e arsimit të paraluftës pritet t’i paguajnë, pse të mos na paguajnë edhe neve që kemi kontribuuar në sport?”, shton ai.
Mjaku njihet si një sportist universal, pasi që nga vegjëlia është marrë me sporte dhe pozita të ndryshme.
Ndër të tjera, ai është edhe trajner i licencuar me Licencën B dhe synon që ta marrë shumë shpejt Licencën A. Ai është ankuar në Komunën e Ferizajt pasi nuk i është dhënë rasti asnjëherë ta udhëheqë ndonjë klub të atij rajoni. Thotë se do ta udhëheqë vetëm një klub të Superligës, më me qejf Hajvalinë. Në të kaluarën, para luftës, ka qenë trajner i ekipit “3 Prilli” në futboll të madh.
Krahas detyrës si trajner e refer, ka qenë edhe delegat i futbollit të vogël. Ka qenë edhe pjesë e mbrojtjes së Kushtetutës në vitin 1989.
Mjaku po ashtu tregon se një kohë ishte atlet i dalluar në Kosovë dhe për këtë kërkon që gjithashtu të shpërblehet nga shteti si sportist me merita.
“Unë kam kërkuar nga Besim Hasani (kryetari i KOK-ut) që të më ndahet pensioni olimpik pasi kam qenë atlet i dalluar para luftës duke arritur rezultate kulminante. Në atë kohë nuk kishim mundësi të merrnim pjesë në gara ndërkombëtare dhe duhej të na shpërblejnë edhe neve”, ankohet ai.
Gjithashtu, Mjaku kërkon të njihet si veteran i luftës pasi ka qenë rezervist për mbledhje të armatimit. Është ankuar në Gjykatën Kushtetuese, por për momentin ka marrë përgjigje negative. /Zëri/
