Rita Ora takohet me Mbretin Charles në Londër, shkëlqen me paraqitjen

Rita Ora takohet me Mbretin Charles në Londër, shkëlqen me paraqitjen

Showbiz May 13, 2026 - 22:14

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është takuar me Mbretin Charles në një mbrëmje të veçantë gala në Londër, ku u shënua 50-vjetori i “The King’s Trust” – organizatës bamirëse për të rinjtë që ai e themeloi në vitin 1976 (e njohur më herët si “The Prince’s Trust”).

Sipas BBC, eventi u mbajt të hënën mbrëma në Royal Albert Hall dhe mblodhi një sërë emrash të mëdhenj nga muzika dhe kinematografia.

Image

Rita Ora ishte mes artistëve që performuan në këtë koncert festiv, i cili kishte në fokus punën 50-vjeçare të fondacionit në mbështetje të të rinjve, me synimin për të ndihmuar në uljen e papunësisë tek ta. BBC thekson se programet e trustit, për moshat 11 deri në 30 vjeç, vlerësohet se kanë ndihmuar rreth 1.3 milionë njerëz.

Në sallë ishin të pranishëm edhe Mbretëresha Camilla, si dhe figura të njohura publike si George dhe Amal Clooney, Benedict Cumberbatch dhe Idris Elba. Në skenë, krahas Rita Orës, performuan edhe artistë të tjerë si Sir Rod Stewart, Ronnie Wood, Craig David dhe Anne-Marie, ndërsa mbrëmja u moderua nga Ant dhe Dec.

Gjatë një pauze të programit, Mbreti Charles përshëndeti disa prej performuesve, mes tyre edhe emra të njohur të muzikës britanike. Në përfundim të natës, ai dhe Mbretëresha Camilla u shfaqën edhe në skenë, në një moment simbolik ku “ndërruan vendet” me moderatorët Ant dhe Dec, të cilët u zhvendosën në lozhën mbretërore.

Në fjalën e tij, Mbreti Charles falënderoi stafin dhe të gjithë ata që kontribuojnë në këtë organizatë, duke shprehur dëshirën që ajo të vazhdojë “sa më gjatë që të jetë e mundur”.

Takimi i Rita Orës me Mbretin Charles, në një ngjarje kaq të rëndësishme për jetën publike britanike, shihet si një tjetër moment domethënës në rrugëtimin e saj ndërkombëtar, duke e vendosur këngëtaren shqiptare mes emrave që kontribuojnë në evente të mëdha me karakter kulturor dhe bamirës. /telegrafi