Këngëtari shqiptar në Sanremo me këngë për fëmijët në Gazë synon Eurovisionin
Këngëtari shqiptar me famë ndërkombëtare, Ermal Meta, do të ngjitet këtë vit në skenën e Festivalit të Sanremos me këngën “Stella Stellina”, të cilën ai e cilëson si “ndoshta e vetmja këngë e përkushtuar” në edicionin e sivjetmë të festivalit.
Në një intervistë për sky.it, Meta tregon se frymëzimi për këngën lindi nga një kontrast i fortë emocional: përpjekja për t’i krijuar vajzës së tij rima të një ninulle dhe përplasja me imazhe të rënda që shfaqeshin në rrjetet sociale, transmeton Zeri.info.
“Po kërkoja diçka që kishte të bënte me ‘Stella Stellina’, por një orë më parë po shihja video të rënda në Instagram. Pamja e një vogëlusheje nga Gaza më mbeti e ngulitur në mendje. Ishte ndryshe nga të tjerat, më goditi më fort emocionalisht”, shprehet ai.
Pas gjumit të vajzës së tij, Meta u mbyll në studio dhe fjalët e krijuara për ninullën e fëmijës u shndërruan në një tekst me dimension tjetër – një këngë që flet jo për një vend të caktuar, por për një popull, për njerëz të bllokuar mes mureve dhe detit, për dhimbje që përsëritet në kohë dhe hapësirë.
Ai e ndërton këngën mbi strukturën e muzikës popullore, që sipas tij mbijeton ndër shekuj sepse është e thjeshtë, rrethore dhe hyn “në ADN-në” e njerëzve:
“E mbajta atë rimën e çerdhes, atë melodi që nuk mbaron kurrë. Mendova: si t’ia shpjegosh një fëmije atë që po ndodh në botë?”
Edhe pse frymëzimi vjen nga imazhet e Gazës, fjala “Gaza” nuk përmendet në tekst. Sipas Metës, kjo është një zgjedhje e vetëdijshme artistike:
“Nuk e kam përdorur fjalën Gaza sepse ajo përmban shumë referenca të tjera. Diskursi është universal – për njerëz të bllokuar, për tragjedi që mund të ndodhin kudo në botë. Nuk ka nevojë për specifikim, sepse muzika shkon kudo”, tha Meta.
Kujtojmë se fituesi i Sanremos ka mundësi të përfaqësoi Italinë në Eurovision që këtë vit mbahet në Vjenë, ku 5 shtete janë tërhequr për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit. /Zëri