Arif Vladi: 17 Shkurti ditë e unitetit kombëtar në mbrojtje të vlerave të UÇK-së

Arif Vladi: 17 Shkurti ditë e unitetit kombëtar në mbrojtje të vlerave të UÇK-së

Showbiz February 11, 2026 - 15:57

Këngëtarë dhe artistë të njohur nga Kosova kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve të Kosovës që po përballen me një proces të padrejtë gjyqësor në Hagë.

Kësaj mbështetje ju ka bashkuar edhe këngëtari i njohur i këngëve patriotike, Arif Vlasi i cili sot ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit në Gjykatën Speciale në Hagë, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave drejtuese të saj.

Në deklaratën e tij, Vladi thekson se 17 Shkurti duhet të shndërrohet në një ditë të unitetit mbarëkombëtar, duke nënvizuar se Prishtina “do të jetë e vogël për t’i zënë të gjithë shqiptarët” që, sipas tij, do të marrin pjesë në mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe të krerëve të UÇK-së që gjenden aktualisht në Hagë.

“Dëshmorët e rënë për lirinë e atdheut do të ndiheshin mirë që më 17 shkurt Prishtina të jetë e vogël për t’i zënë të gjithë shqiptarët që do të marrin pjesë në mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe krerëve të saj që gjenden në Hagë. Liria nuk vritet. Çlirimtarët janë palca e kombit,” është shprehur Vladi.

Ai ka akuzuar Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për njollosjen e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke e cilësuar këtë si një fushatë politike dhe propagandistike kundër historisë së rezistencës shqiptare.

Duke komentuar deklaratat e Prokurorisë në Hagë, përfshirë pohimin se “Hashim Thaçi ka mashtruar Amerikën”, Vladi ka reaguar ashpër, duke ngritur pyetje publike mbi ngjarjet e luftës në Kosovë.

“Pse, mashtrim ishte masakra e Reçakut? Mashtrim ishte vrasja e popullsisë civile, përdhunimi i grave dhe vajzave shqiptare nga ushtria serbe, dëbimi i popullsisë civile nga vatrat e tyre?”, thuhet në reagimin e tij.

Në fund, Vladi ka bërë thirrje për unitet dhe qëndresë kombëtare, duke theksuar se mbrojtja e dinjitetit dhe gjakut të derdhur për liri është detyrim moral i çdo qytetari.

“Të qëndrojmë të gjithë bashkë në mbrojtje të dinjitetit dhe gjakut të derdhur për liri. UÇK është nderi i shqiptarisë,” përfundon reagimi. /Zëri

Image

Image