Aktorja Teri Hatcher thotë se nuk ka bërë ndërhyrje në fytyrë: Kjo nuk është zgjidhje

Aktorja Teri Hatcher thotë se nuk ka bërë ndërhyrje në fytyrë: Kjo nuk është zgjidhje

Showbiz November 02, 2025 - 00:21

Aktorja Teri Hatcher, pavarësisht se të gjithë komentojnë për fytyrën e saj, pretendon se nuk ka bërë kurrë operacione plastike.

Ylli i serialit “Housewives”, e cila së fundmi festoi 60-vjetorin e lindjes, ka folur për ndërhyrjet dhe pranoi se është e irrituar me gratë e famshme që nuk janë të sinqerta për atë që i kanë bërë vetes, shkruan Daily Mail.

"Të jesh grua, të plakesh është e vështirë", tha aktorja në podcast-in "The Skinny Confidential Him & Her Show".

"Kështu që nuk gjykoj askënd nëse ndihet mirë për jetën e tij. Por nuk më pëlqen kur njerëzit nuk janë të sinqertë për këtë".

Hatcher beson se një sjellje e tillë krijon pritje joreale dhe presion mbi gratë e tjera.

"Kur je e famshme dhe gënjen, pjesa tjetër prej nesh ndihet keq", shpjegoi ajo.

Kur u pyet nëse i është nënshtruar ndonjëherë “operacionit”, Teri tha jo, megjithëse nuk e përjashton plotësisht mundësinë në të ardhmen.

“Për momentin, kur shikoj veten në pasqyrë dhe mendoj për atë që më mungon ose me të cilën kam vështirësi, zgjidhja ime nuk është një ndërhyrje kirurgjikale".

"Zgjidhja ime është të punoj me veten. Është punë intelektuale. Është punë emocionale", shpjegoi ajo qëndrimin e saj.

"Nëse do të ndieja se zgjidhja ishte të mos kisha rrudha në qafë, atëherë ndoshta do ta bëja këtë. Unë nuk e gjykoj këtë".

Kjo nuk është hera e parë që aktorja flet hapur për këtë temë. Në vitin 2010, ajo postoi fotografi në Facebook pa grim për të vërtetuar se nuk përdorte botoks apo mbushës.