Angela Martini i jep fund martesës 7-vjeçare me Drago Savulescu
Lajmi për ndarjen ka surprizuar ndjekësit e çiftit dhe fansat e modeles shqiptare Angela Martini, e cila ka dorëzuar kërkesën për divorc nga bashkëshorti i saj, Drago Savulescu, duke i dhënë fund një martese që zgjati shtatë vite.
Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, përfshirë TMZ, Angela Martini ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën e Los Angeles të enjten, duke shënuar 24 tetorin si datën zyrtare të ndarjes.
Në dokumente, arsyeja e prishjes së martesës përmendet si “mospajtime të pajtueshme”, një formulim standard ligjor që nënkupton fundin e marrëdhënies për shkak të dallimeve të thella mes partnerëve.
Nga kjo martesë, çifti ka një djalë të vogël, Kyree Martini Savulescu, 3-vjeç, për të cilin Angela kërkon kujdestari të përbashkët ligjore dhe fizike.
Martini ka kërkuar gjithashtu që ish-bashkëshorti i saj të paguajë pension bashkëshortor, duke theksuar se martesa e tyre ka nisur në dhjetor 2017.
Një divorc surprizë
Lajmi ka ardhur si befasi, pasi vetëm pak javë më parë ndjekësit kishin parë çiftin duke shijuar pushime luksoze në Evropë.
Dyshja, që shpesh ndanin momente të përbashkëta në rrjetet sociale, madje kishin paralajmëruar edhe një projekt filmik të bazuar në historinë e tyre të dashurisë, një rrëfim që do të tregonte si dashuria i ndihmoi të përballonin sfidat ligjore të Savulescu me drejtësinë rumune.
Një çift i përfolur në botën e showbizit
Angela Martini dhe Drago Savulescu u bënë një nga çiftet më të përfolura në botën e showbiz-it ndërkombëtar.
Ajo, modele shqiptare me karrierë në SHBA, dhe ai, biznesmen e aktor rumun, shpesh konsideroheshin shembull i një dashurie që sfidonte kufijtë, duke jetuar mes SHBA-së, Zvicrës dhe Italisë.
Megjithatë, pas shumë viteve bashkëjetese, duket se marrëdhënia e tyre ka arritur në një pikë të pakthyeshme.
As Angela Martini, as Drago Savulescu nuk kanë bërë ende deklarata publike rreth ndarjes, duke lënë fansat të presin reagimin e tyre të parë.
