A do të bëjë Zvicra një tjetër boom në Eurovision falë “fuqisë kosovare”?
Në maj të vitit që vjen, në Bazel mbahet edicioni i radhës i këngës në Eurovision (ESC 2025). Si nikoqire, Zvicra mund të ketë njëfarë përparësie, dhe, duke vlerësuar diçka të tillë si të mundshme, mediat zvicerane i lejojnë vetes të ushqejnë shpresa për edhe një fitore eventuale, pas asaj që arriti kandidati i këtushëm, Nemo, vitin e kaluar.
Kështu, gazeta Tages Anzeiger ka bërë një analizë se kush dhe si mund ta përfaqësojë Zvicrën në festën e pritshme të muzikës evropiane, duke i dhënë fjalën përgjegjësit artistik të kampit të ESC 25, producentit dhe kompozitorit, Pele Loriano.
431 artistë kanë dorëzuar këngët e tyre për të përfaqësuar Zvicrën në Eurovision Song Contest në Bazel. Kjo është pak më shumë se vitin e kaluar, kur kishte 427 këngë për të zgjedhur, transmeton albinfo.ch. Madje është një rezultat rekord. Por fitorja e Nemo-s në ESC të vitit të kaluar në Malmö nuk shkaktoi ndonjë fluks të madh të muzikantëve zviceranë për ESC. Për krahasim: Në shtetin ku u mbajt së fundi ESC, në Suedi, ka nga 2,000 deri në 3,000 aplikime çdo vit.
Sidoqoftë, nuk do ta dimë deri në fillim të vitit se kush do ta pasojë Nemon dhe do të përfaqësojë Zvicrën në Eurovision Song Contest në Bazel. Është një sekret i ruajtur nga afër nga përgjegjësit në SRG që organizojnë ngjarjen. “Ne jemi në rrugë të mirë dhe në fakt thjesht po presim verdiktin nga juria ndërkombëtare”, thotë producenti muzikor dhe kompozitori Pele Loriano, i cili, si delegat i SRG për Eurovision Song Contest, është kryesisht përgjegjës për pjesëmarrjen e Zvicrës në ESC. Një datë për shpalljen ende nuk është caktuar. Ashtu si vitet e fundit, kjo duhet të jetë në shkurt ose në mars të vitit të ardhshëm.
Praktikisht të gjitha kontributet zvicerane në vitet e fundit janë krijuar në “kampusin e shkrimit të këngëve të shoqërisë zvicerane të të drejtave të autorit Suisa” në Studion Powerplay në Maur: nga “The Code” e Nemo, te “Répondez-moi” nga Gjon’s Tears dhe “Stones” nga ZiBBZ , te “Watergun” e Remo Forrer dhe “She Got Me” të Luca Hänni.
Edhe këtë herë fabrika e hiteve në kampusin Suisa duhet të ketë fjalën për zgjedhjen e këngës zvicerane. Dhe këtu Loriano është në krye si drejtor artistik i kampit, ai ka ftuar në Maur këtë vit 42 producentë, kompozitorë dhe interpretues nga brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Pele Lorianos, gama e kandidatëve këtë vit është “shumë e gjerë” dhe, ndryshe nga viti i kaluar nuk ka “një favorit të qartë”. “Me Nemo-n, e dija menjëherë se ne mund ta fitonim konkursin”. Këtë herë nuk është kështu. Megjithatë, Loriano është i bindur se kandidatët aktualë mund të ruajnë nivelin e lartë të pjesëmarrjes zvicerane, pe¨rcjell albinfo.ch. “Qëllimi ynë është të jemi në ballë”, thotë Loriano. Por, është e vështirë të vlerësohet nëse do të mjaftojë për të fituar sërish. Shumë faktorë të pasigurt hyjnë në lojë”.
Pasi bën një sërë kombinimesh të mudnshme, duke filluar nga ato me këngëtarë me përvojë dhe me emër e deri tek talentet e reja që sapo kanë dalë në sipërfaqe, Loriano thotë: Me siguri do të “ndizte” karta shqiptare. Me Ilirën, këngëtaren e prindërve kosovaro-shqiptarë të rritur në Brienz, do të kishim një atu. Ilira ka 1.5 milionë dëgjues mujor në Spotify (më shumë se Loredana), duke e bërë atë një nga muzikantet më të transmetuara zvicerane.
Një boom i vërtetë do të ishte një duet kosovar mes Loredanës dhe artistit të promovuar të vitit të kaluar EAZ (Arbër Rama, i cili ka fituar çmiemt më të larta në Swiss Awards 2024 dhe është zgjedur Personalitet i Vitit nga albinfo.ch). Loredana, artistja e lindur në Lucern është jashtëzakonisht e diskutueshme. Por ngritja e saj është e pandërprerë dhe sot ajo është një nga reperet më të suksesshme gjermanishtfolëse”, thuhet veç tjerash në artikullin, i cili në ballinë mban një fotografi të kombinuar mes Arbër Ramës (EAZ) dhe Loredana Zefit.