Gold Ag shkon në Hagë, takohet me Rexhep Selimin: Të fala nga çlirimtarët për çdo gjak shqiptari
Reperi i njohur shqiptar, Arian Agushi, i njohur me emrin artistik Gold Ag, ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se ka udhëtuar për në Hagë.
Gjatë vizitës së tij, Gold Ag ka realizuar një takim emocional me Rexhep Selimin, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili po mbahet në Dhomat e Specializuara. Në postimin e tij, këngëtari e ka quajtur Selimin “vëlla të zemrës” dhe ka ndarë një mesazh të fuqishëm.
“Takim me vëllaun e zemrës Rexhep Selimin. T’fala nga çlirimtarët për çdo gjak shqiptari. U pafshim n’Kosovën e lirë”, ka shkruar Gold Ag në Instagram, duke emocionuar ndjekësit e tij.
Ky veprim i artistit, i cili njihet për qëndrimet e tij patriotike dhe përkrahjen ndaj vlerave të luftës për çlirim, ka ngjallur reagime pozitive nga fansat dhe opinioni publik.
Gold Ag është i njohur për këngët e tij me tematikë kombëtare dhe për përkushtimin e tij ndaj figurave dhe historisë së Kosovës, duke sjellë shpeshherë në vëmendje rëndësinë e sakrificave për liri.
Vizita e tij në Hagë shihet si një gjest simbolik dhe mbështetje morale për Rexhep Selimin dhe të gjithë ata që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare. /Telegrafi/