“Ne ende mblidhemi burrat veç, gratë veç”, nëna e Rita Orës flet si psikologe për rastin e 11-vjeçares

“Ne ende mblidhemi burrat veç, gratë veç”, nëna e Rita Orës flet si psikologe për rastin e 11-vjeçares

Showbiz September 05, 2022 - 08:21

Vera Ora, e cila është një psikiatre prej vitesh në Britaninë e Madhe, ka reaguar në rrjetet e saj sociale për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares në Kosovë. Vera ka ndarë një video në Instagram, ku tregon këndvështrimin e saj për ngjarjen dhe fenomenin në përgjithësi, por ndan edhe një këshillë të rëndësishme për shoqërinë shqiptare.

Ajo e ka quajtur këtë një akt që duhet të dënohet ashpër dhe duhet menduar se cila është psikologjia e atyre njerëzve dhe çfarë kanë pasur si qëllim në këtë akt aq të tmerrshëm ndaj një fëmije 11-vjeçar.

“Unë e shoh këtë si një grup të drejtuar nga një profil. Kush është lideri dhe çfarë prapavije ka pasur ai njeri, të cilin e kanë ndjekur edhe të tjerë që të bëjnë një akt kaq të tmerrshëm? Është një dukuri që duhet menduar. Mund të jetë një sulm i organizuar dhe i planifikuar shumë gjatë me një strategji, mund të them ndonjë qëllim apo ndonjë hakmarrje apo ndonjë akt i cili është bazuar në një prapvijë. Mua më qan zemra për atë vajzë dhe traumat që ka pësuar ai fëmijë, trauma të cilat është shumë e vështirë, ose kurrë nuk do të largohen nga jeta e saj. Si në psiqikën e saj, ashtu edhe në të familjes dhe rrethit të ngushtë. Siç thashë dhe më parë ky grup e ka një udhëheqës, një psikopat udhëheqës, i cili ka zhvilluar një ide dhe e kanë përcjellë të tjerët. Sigurisht që mund të ketë pasur ndonjë që ka rezistuar, por dihet se çfarë ndodh me ata që rezistojnë. Kur bëhet një akt i tillë, ne si shoqëri fillojmë të akuzojmë me të drejtë, por ndoshta është me rëndësi të shohim si shoqëri çfarë të bëhet në këto raste”, -ka thënë ndër të tjera Vera.

Më tej, ajo ka ndarë një këshillë për gjithë shoqërinë shqiptare.

“Ne si shoqëri jemi zhvilluar dhe civilizuar, por siç thonë shkencëtarët jemi ende shtazë sociale që mundemi të reagojmë në raste kur mendja nuk punon mirë, të bëjmë akte të ndryshme. Mirëpo, ne duhet të mendojmë dhe vlerësojmë rëndësinë e familjes, të zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve tanë. Çfarë rrethi familjar u japim fëmijëve tanë dhe si i edukojmë ata të kenë barazi gjinore? Ne ende mblidhemi turma e meshkujve në një anë, turma e femrave në një anë. Edhe në organizimet familjare, ne ende mendojmë pakëz me ndashmëri, e cila mund të rezultojë në një efekt që fëmijët tanë të mos kenë atë bashkësinë, ngrohtësinë dhe mirëkuptimin ndaj njëri-tjetrit pa dallime gjinore. Duhet të mendojmë se çfarë bëjmë dhe çfarë roli kemi në shoqërinë tonë, si prindër, si qytetarë që jetojmë në bashkësi me të drejta të barabarta.”

Videon e plotë e gjeni më poshtë:

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Vera Ora (@veraora)