Limani për deklaratën e Doçit: Mosha e bën të veten

Limani për deklaratën e Doçit: Mosha e bën të veten

Showbiz May 16, 2022 - 12:14

Gazetari Albert Limani, i njohur si person që vazhdimisht lobon që Kosova të jetë pjesë e Eurovisionit, ka folur për arsyet e mospranimit të vendit tonë në këtë garë.

Limani që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës është interesuar se pse Kosova nuk është pjesë e Eurovizionit.

Ai ka thënë se arsyet janë politike.

“Unë kam nisur një peticion në vitin e kaluar dhe deri tani ka marrë mbi 10 mijë nënshkrime, që i bën thirrje EBU-së ta pranojë Kosovën në Eurovizion, arsyeja është që për shkak se RTK-ja duhet të anëtarësohet në EBU, në Rrjetin e Transmetuesve Evropianë, që pastaj të sigurojë pjesëmarrjen në Eurovizion”, ka thënë ai.

Limani në Tëvë ka folur edhe për deklaratën e tekstshkruesit Agim Doçi, i cili ka deklaruar se këngëtarët e Kosovës duhet ta përfaqësojnë Kosovën e jo Shqipërinë në Eurovizon.

“Mendoj që mosha e bën të veten dhe deklaratat e tij janë shpeshherë të pamenduara, ai nuk është në dijeni ndoshta që Kosova nuk mund të marrë pjesë, edhe pse ka shkuar vetë në Eurovizon disa herë”, tha ai.

Sipas Limanit, deklarata e Doçit është shumë e ngutshme.

Tutje, Limani tha se arsyeja se pse Kosova deri më tani nuk është pranuar në Eurovizon është kundërshtimi nga Rusia e Serbia.

Ai po ashtu tha se tashmë që Rusia është përjashtuar nga kjo organizatë, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë që Kosova të pranohet në EBU ose në Eurovizion.

“Kosova nuk është pranuar në atë organizatë, për shkak të politikës, pikërisht për shkak se Rusia ka qenë një ndër kundërshtarët më të forta bashkë me Serbinë, tashmë që Rusia nuk është në atë organizatë për shkak të luftës në Ukrainë, mendoj që Kosova duhet të bëjë më shumë sidomos institucionet tona”, ka thënë Limani në Tëvë.

Limani ka theksuar se nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës, nuk do të ketë pengesa për pranim në Eurovizion.