Përfaqësuesja e tyre në Eurovision hodhi flamurin në tokë, televizioni maqedonas paralajmëron tërheqjen nga gara

Përfaqësuesja e tyre në Eurovision hodhi flamurin në tokë, televizioni maqedonas paralajmëron tërheqjen nga gara

Showbiz May 08, 2022 - 23:05

Radio Televizioni i Maqedonisë së Veriut (MRT), ka reaguar pasi përfaqësuesja e tyre në Eurovision, Andrea Koevska ka hedhur flamurin maqedonas në tokë gjatë ceremonisë hapëse të Eurovisionit.

MRT-ja ka dënuar sjelljen e këngëtares, ndërsa ka thënë se në asnjë mënyrë nuk qëndron pas kësaj sjelljeje skandaloze të përfaqësuesit të tyre në Eurovizion e cila tregoi mosrespektim ndaj simbolit kombëtar, e që dënohet me ligjet në Maqedoni, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë e tërheqjes nga Eurovisioni, transmeton Zeri.info.

“Radio Televizioni i Maqedonisë dënon ashpër veprimin e përfaqësueses sonë në ‘Eurovision Song Contest 2022’, Andrea Koevska, e cila hodhi në tokë flamurin shtetëror gjatë fotosesionit në Torino. Shërbimi publik nuk qëndron në asnjë mënyrë pas kësaj sjelljeje skandaloze të përfaqësueses sonë të Eurovisionit, e cila me atë gjest tregoi mosrespektim ndaj simbolit kombëtar, i cili dënohet me ligj”.

Më tej thuhet se MRT, pret që Andrea t’u kërkojë falje qytetarëve për një sjellje të tillë.

“Shërbimi publik po shqyrton mundësinë e tërheqjes së saj nga Eurovisioni, ndonëse do të bëhet kujdes që të mos i shkaktohen më shumë dëme RTVM-së.Ndaj përgjegjësve në delegacionin tonë do të merren të gjitha mundësitë ligjore për sanksionim më të rreptë për këtë skandal”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga MRT.

Maqedonia e Veriut në Eurovision këtë vit përfaqësohet nga këngëtarja Andrea me këngën “Circles” . /Zëri